Ka përfunduar raundi i parë i takimit trepalësh në Bruksel, midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.
Sipas REL, do të ketë takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së.
Kjo me qëllimin që liderët të takohen sërish gjatë ditës.
Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pak para takimit trepalësh, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë të enjten se është koha të ecet përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Në një postim në Twitter, Borrelli ka shkruar se pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që në takimin e sotëm në Bruksel të gjejnë gjuhën e përbashkët.
“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.