Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në mesnatën e së martës ka përfunduar rinumërimi i fletëvotimeve nga 50 vendvotime në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), sipas vendimit të KQZ-së.
35 prej këtyre vendvotimeve ishin në Komunën e Vushtrrisë, ndërsa 15 në komunat e tjera.
Sipas njoftimit të KQZ-së, gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, do të nisë rinumërimi i 1.631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votimi me postë. Këto fletëvotime janë të shpërndara në 177 kuti votimi dhe do të rinumërohen në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
KQZ-ja ka konfirmuar se edhe ky proces do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar, duke siguruar transparencë dhe respektim të procedurave zgjedhore.