Në Gjykatën Themelore të Pejës ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit, Urim Hyseni, i dyshuar për vrasjen e nënës së tij.
Pas përfundimit të seancës ka pasur heshtje të plotë nga avokati dhe familjarët e tij, pasi asnjëri prej tyre nuk ka dashur të japë deklaratë për mediet.
Seanca ishte zhvilluar e mbyllur për publikun dhe mediet pas kërkesës së mbrojtësit të viktimave, e që është pajtuar edhe prokuroria edhe avokati i të akuzuarit.
Avokati i tij, po ashtu, ka kërkuar që seanca të mbahet e mbyllur për publikun, duke theksuar se do të diskutohet një ekspertizë psikiatrike mbi gjendjen shëndetësore të klientit të tij.
Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave janë pajtuar me kërkesën për mbylljen e seancës, për shkak të natyrës së rastit që ka të bëjë me dhunën në familje dhe vrasjen.
Gjyqtarja, Violeta Husaj Rugova, ka pyetur edhe të akuzuarin Urim Hyseni, i cili nuk ka folur por vetëm ka pohuar me kokë, ndërkohë që më pas seanca është mbyllur për publikun e mediet.
Urim Hyseni akuzohet se më 14 prill të këtij viti ka vrarë nënën e tij, duke i shkaktuar më shumë se 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Po ashtu, pasi ka vrarë nënën e tij, Urim Hyseni dyshohet se ka sulmuar me thikë babain dhe tezen e tij.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 9 tetor 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Urim Hyseni, më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, viktimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale.
Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje në mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kryen vrasjen e viktimës.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë.
Më 11 maj i është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi të dyshuarit për vrasjen e nënës.