Në Gjykatën Themelore në Prishtinë tashmë ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, ndërsa pritet të merret vendimi pas 30 minutash.
Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesën për masën e paraburgimit dhe tani pritet vendimi përfundimtar.
Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë kërkesë zyrtare për paraburgim kundër tre të dyshuarve të identifikuar si V.T., B.S., dhe D.M. për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se kërkesa për paraburgim është ngritur për tre të pandehurit në lidhje me akuzat për “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,” sipas nenit 126 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Kryerjen e veprave terroriste” sipas nenit 129 të të njëjtit kod penal.
Ndërsa, siç raporton ekipi i terrenit të RTV Dukagjini, zyrtarë të policisë kanë mbërritur në pallatin e Drejtësisë.
Dhe, nën njësinë më elitare të Policisë, dy nga të arrestuarit për sulmin ndaj Policisë janë tashmë në Gjykatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim.
Më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore në Kosovë, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist.
Tragjedia vazhdoi me dhimbje të madhe pas vrasjes së Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës, i cili ndërroi jetë pas sulmit të së dielës nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Në këtë sulm, edhe tre policë të tjerë u plagosën.
Në orët e mbrëmjes të së dielës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.