Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për çështjen e dinarit serb

Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh në mes të ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, për çështjen e dinarit serb

Kartëmonedhat e dinarit serb.

Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët në mes të ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Rezultatet nga ky takim nuk janë ende të qarta, raporton REL.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb, dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

Para takimit trepalësh, Lajçak u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik, sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme, për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës.

Sipas Bislimit, Lajçaku në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vetë ai, sipas të cilave asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

Por, nga BE-ja janë përgjigjur se angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”.

Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura në mes të palëve, dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Një ditë më parë, nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

Serbia ndan miliona euro për serbët në Kosovë, pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Ndërkaq nga Kosova kanë thënë se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika