Një përleshje ka ndodhur disa ditë më parë në afërsi të Shkollës së Mesme Profesionale, “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë, ku të përfshirë kanë qenë disa nxënës dhe disa persona që besohet se kanë qenë të moshës më të vjetër.
RTV Dukagjini ka siguruar pamjet e përleshjes, ku shfaqen disa persona duke përdorur dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit.
Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gërvalla, ka bërë të ditur për Dukagjinin se njëri nga nxënësit e kësaj shkolle ka marrë lëndime me mjet të mprehtë në njërin gju.
Sipas tij, njëri nga nxënësit e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” ishte rreth moshës 17-18 vjeç, maturant, tjetri në klasën e 11-të.
“Sipas informatave që i kemi prej policisë, njëri është pak i lënduar me një mjet të mprehtë mbi gjunjë, nuk e dimë se çfarë mjeti ka qenë, por është lënduar me të, por janë të gjithë jashtë rrezikut për jetë”, ka treguar tutje ai.
Po ashtu, ai ka thënë se ngjarja është raportuar në Polici, sipas informacioneve të tyre, gjatë përleshjes kanë ardhur edhe disa nxënës të shkollave të tjera, disa as që i kanë njohur për shkak se kanë qenë edhe më të vjetër.
“Ne kemi edhe informata që janë jozyrtare, ja kemi lënë në dorë organeve të rendit, kurse ne e marrim përgjegjësinë vetëm për sa i përket masave ndaj tyre, por për momentin ata nuk janë duke vijuar mësimin, dy nxënësit ose tre sa kanë qenë të përfshirë”, ka treguar tutje ai.
Portali Dukagjini ka tentuar të marrë informacione edhe nga Policia e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë asnjë përgjigje.