Fushata e informimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës ka përfunduar këtë të premte.
Aktiviteti përmbyllës pritet të mbahet me një event, ku qytetarët do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një kuiz dhe të fitojnë një udhëtim drejt Vjenës më datën 1 janar 2024.
Kampanja përmbyllëse pritet të mbahet në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në 15:00.
“Kamioneta jonë do të jetë në shërbimin tuaj për t’ju informuar dhe mundësuar të bëheni pjesë e kuizit dhe të fitoni një udhëtim në Vjenë me datën 1 Janar 2024. Shorteu i atyre që kanë qëlluar 5 pyetjet e sakta do të mbahet LIVE të hënën në emisionin e mëngjesit në RTK”, thuhet në njoftim.
Nisur nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të gëzojnë lirinë e udhëtimit drejt zonës Shengen pa nevojë për viza për qëndrime afatshkurtra.
Kjo do të thotë se ata mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen, megjithatë nuk do të mund të punojnë atje.
Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në Parlamentin Evropian në prill të këtij viti u bë pa asnjë kundërshtim, duke përmbyllur me sukses procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.