Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është përmbyllur në disa shtete me një pjesëmarrje të konsiderueshme.
KQZ njofton se nga gjithsej 20,324 votues të regjistruar, deri në orën 19:00 kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre 14,463 qytetarë, që përbën 71.16% të votuesve.
Në këto shifra nuk janë përfshirë Qendrat e Votimit në Washington, Ottawa, Toronto dhe New York.
Procesi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasadat dhe konsullatat në shtete si Gjermania, Zvicra, SHBA, Franca, Austria, Mbretëria e Bashkuar e të tjera.
Pas mbylljes që vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, KQZ, me ndihmën e MPJD-së, do të sjellë votat në Kosovë dhe më pas ato do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, pasi të jenë numëruar votat e rregullta të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se pret që nga dita e hënë të nisë transportimi i votave nga përfaqësitë diplomatike për në Kosovë.
Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues.
Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur./Telegrafi
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2025/02/476372013_1007971458027938_1067908990387608118_n-1024x1024.jpg)