A.G., i dyshuar për vrasjen e viktimës N.G., i cili gjendet ende në arrati, përmes avokatit të tij- Fanol Krasniqi, me anë të një letre drejtuar Policisë, ka dhënë versionin e tij për vrasjen që ndodhi më 25 mars te “4 Llullat” në Prishtinë, duke pretenduar se viktimën e ka qëlluar me armë i plagosuri M.M.
Më 25 mars 2025, si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga dy të dyshuar, ka mbetur i vrarë N.G., në rrugën “Rrustem Hyseni” në lagjen e njohur si “4 Llullat” në Prishtinë, kurse M.M. i plagosur.
Cili është versioni i të arratisurit?
Në letrën që avokati Krasniqi ia ka drejtuar hetuesve të Policisë, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pas rastit, familja e të dyshuarit e ka autorizuar që ta përfaqësojë atë dhe se ka komunikuar edhe me të në rrjete sociale, e që përmes tij ai ka treguar versionin e vet të ngjarjes.
Sipas letrës, zanafilla e problemit të tij me M.M. ka nisur në shtetin e Spanjës, kur M.M., kishte qenë në lidhje me një grua e cila më pas ishte lidhur me një person tjetër, por që ai kishte menduar se ishte vetë A.G.
Gjithnjë sipas shkresës që A.G. ka dërguar te hetuesit përmes avokatit me arsyetimin për zbardhjen e rastit, thuhet se M.M. e ka sharë e ofenduar me anëtarë të familjes- gruan e vajzën e mitur, deri te kërcënimi për babanë e tij. Më pas, thuhet se M.M., i kishte shkuar atij edhe te banesa ku e kishte kanosur me thikë, madje kishte tentuar ta therte.
Po ashtu, edhe pronarja e apartamentit ku banonte me qira A.G., pretendohet se u kanos nga M.M., e që ajo më pas e largoi A.G., nga apartamenti. Më pas, thuhet se A.G., u detyrua të ikë në Francë tek gruaja dhe vajza e mitur, e më 24 mars 2025 vjen në Kosovë në vizitë tek prindërit.
Në shkresë, thuhet se pasi mësoi vendndodhjen e M.M., A.G., bashkë me një person N.N., shkojnë në vendin e ngjarjes, ku posedonte një armë të tipit TT, kurse miku i tij N.N., një kallashnikov.
Gjithnjë sipas letrës, me të hyrë A.G. në lokal, M.M., kishte lëshuar një zë dhe kishte kërkuar nga mysafirët që të mos lëvizin dhe për një moment gjuan në drejtim të A.G katër herë, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Më tej, thuhet se pas zbrazjes së municionit nga ana e M.M., i njëjti repetit armën dhe afrohet në distancë të afërt dhe e godet dy herë në këmbë dhe një në dorë dhe më pas A.G., afrohet ia merr armën M.M., dhe me të me pjesën e kondakut e godet disa herë në kokë dhe përfundimisht largohet në një vend të panjohur.
A.G., pretendon se nuk ka mundësi që nga gjuajtja e tij të jetë goditur tani ndjeri N.G., por është goditur nga e shtëna e M.M.
Po ashtu, i dyshuari pretendon se nuk e kishte qëllimin të gjuajë në drejtim të M.M., por që ta rrihte për shkak të fyerjeve të rënda që ia kishte bërë kohë më parë ai. Por, me të hyrë në lokal A.G., ishte plagosur nga M.M., e që pretendohet se u detyrua ta mbrojë veten e ta zmbrapsë sulmin.
Sipas A.G., armën nuk e ka repetitë deri kur M.M., i ka shkrepur të gjithë fishekët që i kishte në revole.
Aty thuhet se informacionin për vendndodhjen e armëve që janë përdorur në rast, i dyshuari A.G., e kishte dhënë përmes avokatit, e që Policia i kishte gjetur tri armë zjarri në Makoc.
Në letër thuhet se në atë vend janë gjetur një pistoletë e të dyshuarit A.G., një pushkë automatike e të dyshuarit tjetër dhe një pistoletë pronë e M.M. Arma e tipit “Mulli”, thuhet se është përdorur nga M.M., e që këtë sipas tyre do ta vërtetojnë provat.
Përmes letrës, kanë kërkuar të dëshmojnë dy dëshmitarë, të cilët kanë qenë prezent në vendngjarje.
A.G., pretendon se nuk ka shtënë në drejtim të asnjërit nga personat që gjendeshin në lokal, mirëpo gjuajta e tij në drejtim të M.M., ka ardhur pasi ai e plagosi.
Andaj, në letër pretendohet se M.M., kishte pasur mosmarrëveshjen me një person tjetër me emrin Alban dhe jo me të personalisht, kështu supozohet se ai e kishte përzier me atë person.
Ndryshe, avokati Krasniqi tha për “Betimi për Drejtësi” se i mbrojturi i tij A.G., i shpreh keqardhje familjes së viktimës për rastin.
Kujtojmë se M.M., gjendet ende i shtrirë në Spital, ndërkaq i dyshuari Gashi në arrati.
Policia kishte njoftuar se nga goditja e dy të dyshuarve të armatosur e të maskuar, kishte mbetur i vrarë N.G., ndërkaq i plagosur M.M.
“Prishtinë 25.03.2025-22:25. Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhej në njoftimin e Policisë. /BetimipërDrejtësi