Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe atë të Financave se po i bllokojnë punët e kryeqytetit.
Në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, Rama ka thënë se ka tendenca nga këto dy dikastere për bllokim të punëve.
“Kemi vendime të cilat i kemi marrë në Asamble, të cilat në një anë janë thirrur të jashtëligjshme nga MAPL-ja, mirëpo faktikisht janë të ligjshme” – tha Rama.
Përparim Rama ka shtuar se Ministria e Financave ia ka bllokuar kryeqytetit mbi 180 projekte.
“Përkundër faktit që kemi parë një konsensus që këto fonde do të barten nga MF-ja, kjo ende nuk ka ndodhur, pra për 50 centë shembull, nëse i harxhojmë, gjejnë arsye teknike, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me menaxhim të fondeve publike, për me i ndalë këto fonde, pra më shumë se 180 projekte ende rrijnë peng i disa qasjeve teknike”, ka thënë kryetari i Prishtinës.
Ai më tej ka shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe vitin e kaluar.
“Jemi në muajin korrik, dhe vitin e kaluar një pjesë e mjeteve janë bartur te në muajin nëntor. Përkundër faktit që vitin e kaluar kemi pasur edhe ngritje të çmimeve, edhe shkëputje të kontratave, kemi kërkuar qysh vitin e kaluar nga ministri i Financave të bëjë ndryshimin e ligjit për kontratat, nuk e ka bërë këtë, e ka bërë te në nëntor edhe aty me një proces shumë të komplikuar edhe tash kur me i harxhu fondet nëse ndodh në nëntor” – thotë Rama.
Ai thotë tutje se 28. 8 milionë euro projekte janë të lidhura me këto fonde që s’po i lëshon Ministria e Financave.