Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se procesi i këmbimit të pronës në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën komunale në lagjen “Prishtina e Re” ka qenë brenda ligjit dhe si proces ka nisur në qeverisjen e kaluar.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” theksoi se tashmë ish-partneri qeverisës, PDK-ja dhe asamblistët e tjerë kanë qenë të njoftuar për këtë pikë, që ishte miratuar në Kuvend disa javë më herët.
“Këtu asgjë nuk ka qenë jashtëligjore. Pikat u dërgohen edhe asamblistëve që dërgohen për Kuvend, më pas mbahet edhe Komiteti për Politikë dhe Financa. Nuk ka pasur problem”- tha Rama.
Sipas tij, për këtë këmbim pati raportime tendencioze dhe të pavërteta.
“Kjo është raportuar si diçka e klientëve të mi. Ka qenë tendencioz dhe ka ardhur në momentin kur kemi shpallur projektin për sheshin ‘Xhorxh Bush’, ku kemi pasur mospajtime për parking të atij mediumi që raportoi. Ka thënë të pavërteta që një pronë 20-30 milionëshe po këmbehet me një pronë që nuk ka vlerë”- shtoi më tej Rama.
Rama sqaroi se si ishte vlerësuar prona private dhe ajo që do të këmbehej nga komuna.
“Ministria e ka vlerësuar atë tokë 8 milionë euro për 13 hektarë, e ka obliguar komunën për të bërë ndërrim, pasi është e interesit publik, ajo tokë ka pasur kushte ndërtimi. Ne është dashur ose të paguajmë para të gatshme ose këmbim, por nuk ka pasur komuna para. Edhe kryetari i mëparshëm ka thënë duhet bërë këmbim”- shtoi më tej Rama.
Kryetari Rama më tej sqaroi se para dy vjetësh ishte bërë këmbimi i vetëm një pjese të tokës dhe qeverisja aktuale është dashur të vazhdojë, pasi pronari i tokës i ka akuzuar për zvarritje të procesit.
“Fillimisht është bërë këmbimi i një pjese, toka e komunës 6.6 hektarë, që fillimisht është ofruar është vlerësuar si 3 milionë, ndërsa 13-hektarëshi është vlerësuar si 8 milionë, pra kanë mbetur 5 milionë për të vazhduar këmbimi. Kjo nuk është në dorë të Përparim Ramës apo komunës, e vendos ministria sa tokë duhet të jepet”- shtoi më tej Rama.
I pari i Prishtinës u shpreh se nuk e di sa është blerë ajo tokë para se të shpallej zonë e mbrojtur.
“Për këtë ekziston sistemi ligjor që duhet të merren me raste kur konsiderohet se ka shkelje. Në kushte kur komuna ose ministria e shpall një zonë të interesit publik e cila është private dhe ka pasur kushte ndërtimore, atëherë gjykata mund ta marrë në dorë, pra mund të paditet komuna nga privati e të kërkojë pagesë ose padi për humbje brenda këtyre viteve që ia kanë ndalë zhvillimin”- shtoi më tej Rama.
Madje, kryetarit nuk iu kujtua emri i njërit prej pronarëve të cilët e kishin punësuar për dizajn të projektit që kishin pasur në Badovc.
“Emrat e personave të kësaj prone janë Rrahman Haradini dhe nuk ia di emrin këtij tjetrit”- u shpreh Rama.
Rama tha se nuk ka interes nga këta persona, pasi puna e tij me ta ka përfunduar.
“Unë kam pasë klientë nga Amerika deri në Australi, ky ka qenë një prej klientëve ku në vitin 2017 u kam dizajnuar një projekt për të cilin jam paguar dhe aty ka përfunduar puna ime. Aty është ndërruar tash destinimi, është bërë një moratorium që është ndalu ndërtimi”- u shpreh Rama.
Kryetari potencoi se diçka që zhvillohet afër lumit nuk nënkupton se është korruptive.
“Ne jemi të traumatizuar si rezultat i zhvillimeve të paskrupullta në gjithë Kosovën”- u shpreh Rama.
Rama madje potencoi se nuk është profesionale që një ministri pasi të marrë një vendim të pendohet.
“Në institucione kemi njerëz që u frikësohen vendimeve dhe nuk marrin vendime, mandej kthehen edhe thonë se nuk kanë bërë mirë, kjo tregon një nivel të ulët të edukimit profesional. Kur e di se kjo është brenda ligjit, nuk ke pse frikësohesh”- shtoi Rama.
Kuvendi i Komunës së Prishtinës me iniciativë të partive LVV dhe PDK të enjten mori vendim për anulim të vendimit të datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronës në Badovc me pronën komunale në lagjen “Prishtina e re”.
Për këtë proces, Rama kërkoi nga prokuroria që përpos komunës të hetojë edhe ministritë e përfshira në këtë proces.