Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar qeverinë Kurti 2 se është duke ia bërë argatin presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Për këtë, deputeti nga shumica parlamentare, Haki Abazi, i ka bërë një kundërreagimi depuetetit të opozitës Berisha, duke i thënë se “së paku duhet të kesh fytyrë, si burrë që je edhe si ish-luftëtar”.
Tutje, ai ka shtuar se veteranët nuk meritojnë mbrojtje nga një person, siç është Berisha.
“Një shëtitës i partive e një lypës i rrugëve që i akuzon njerëzit pa asnjë fakt”, i ka thënë Abazi.
Mirëpo, kjo për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, është një lojë e cila duhet të përfundojë.
“Nëse mendoni që shqiptarët duhet të fshijnë rrugët e Beogradit dhe t’i presin drunjtë e serbëve, tregoni që ajo është statusi në të cilin mendoni që shqiptarët duhet të kenë rol”, ka deklaruar Abazi.
Berisha, ka thënë se në rolin e veteranit të luftës, do të mbrojë vendin në të gjitha mënyrat.
Tutje, Berisha i është referuar Abazit me termin “shoku”, i cili ishte përdorur në kohën e komunizmit nga sistemi jugosllav, “ ‘dëgjo shoku Haki’, unë jam Hisen Berisha, dhe kam identitet publik, biografi publike dhe kam kaluar nëpër disa institucione ku jam verifikuar në të gjitha trajtat dhe format, në të gjitha segmentet e mundshme, dhe i vetmi jam unë që e kam certifikatën e sigurisë më të lartë në NATO deri në 2018, garanci për 10 vjet përpara”.
Berisha ka folur edhe për atë se çfarë mund të fitojë “lloji” i Haki Abazit, nga bisedimet me Serbinë.
“Por, ti shoku Haki dhe soji yt bëni kujdes dhe mos i jepni zor shumë. Se nuk do të fitoni asgjë prej Serbisë, po ta garantoj”, ka thënë Berisha