Katër pilotë kanë humbur jetën pasi dy avionë ushtarakë stërvitorë u përplasën në ajër në Filipine, njoftuan Forcat Ajrore të vendit.
Aksidenti ndodhi pasditen e së premtes në bazën ajrore Fernando, në qytetin Lipa të provincës Batangas, në jug të kryeqytetit Manila.
Sipas autoriteteve ushtarake, dy avionët e tipit SF-260, me një motor dhe helikë, po fluturonin në lartësi të ulët kur u përplasën. Të dy u rrëzuan brenda territorit të bazës ushtarake.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore, koloneli Alvin Jay Capingian, bëri të ditur se ekipet e emergjencës reaguan menjëherë pas aksidentit. Nuk u raportuan viktima apo të lënduar në tokë.
Autoritetet nuk i publikuan fillimisht identitetet e pilotëve, duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjeve të tyre.
Forcat Ajrore shprehën pikëllimin për humbjen e katër pjesëtarëve, nderuan kontributin e tyre dhe u zotuan t’u ofrojnë familjarëve mbështetjen e nevojshme.