Ukraina tha sot se ka rrëzuar katër raketa me vetëdrejtim gjatë natës, por nuk tha se për cilin rajon bëhej fjalë. Sulmet e shtuara ruse ngjallin frikën se Moska po bën përpjekje për të rimarrë qytetet e vijës së parë të frontit në rajonin verilindor. Rusia në anën tjetër ka njoftuar për dy dronë që u përplasen në rajone të ndryshme brenda Rusisë, por nuk dha detaje nëse ka pasur viktima.
Në fjalimin e tij të përditshëm të shtunën, presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskiy, njoftoi për tre pilotë ukrainas që humbën jetën ndërsa fluturonin mbi Zhitomir, në perëndim të Kievit, të premten.
Presidenti Zelenskiy nuk pranoi të thotë arsyet e vdekjes së tyre.
“Ka ndodhur një katastrofë në qiell mbi rajonin e Zhitomirit. Tre pilotë humbën jetën. Midis tyre kishte edhe oficer që ndihmuan shumë shtetin tonë. Ka filluar hetimi për atë që ka ndodhur, por është shumë herët për të diskutuar detajet. Sigurisht që të gjitha rrethanat do të sqarohen dhe se Ukraina nuk do të harrojë kurrë askënd që mbrojti qiejt e lirë të Ukrainës”, tha presidenti Zelenskiy.
Forcat ajrore ukrainase shkruan në aplikacionin “Telegram” se dy avionë ushtarakë L-39 u përplasën të premten gjatë një misioni luftarak mbi rajonin perëndimor të Zhitomirit në Ukrainë.
Nga tre pilotët që vdiqën ishte edhe Andriy Pilshchykov, i cili ka bërë fushatë publike që Ukraina të merrte nga perëndimi avionët luftarakë F-16 të prodhimit amerikan.
“Avionët luftarakë F-16 janë zgjidhja më e mirë për momentin”, tha piloti Pilshchkov gjatë një interviste për televizionin britanik, Sky News në shkurt të këtij viti.
Në fjalimin e tij të përditshëm, presidenti Zelenskiy tha se ky vit do t’i ngrejë forcat ajrore ukrainase në një nivel tjetër, pasi së shpejti pritet ardhja e avionëve, F16.
“Këtë vit, Ukraina duhet të përmbushë të gjitha detyrat e nevojshme për të futur avionët F-16 në hapësirën tonë ajrore. Kjo do të shënojë një nivel të ri për aviacionin ushtarak ukrainas. Kjo gjithashtu do të na afrojë fitoren dhe do t’i sigurojë Ukrainës siguri më të madhe”, tha presidenti Zelenskiy.
Forcat ukrainase thonë se luftimet në vijat e frontit janë bërë më intensive, por forcat ruse nuk kanë thyer mbrojtjen e tyre. Sipas tyre forcat e vendit kanë rrëzuar katër raketa ruse me vetëdrejtim gjatë natës, por nuk kanë treguar se për cilin rajon bëhej fjalë.
Raportet e inteligjencës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë se Rusia po përpiqet të përmbysë sukseset graduale të kundërofensivës Ukrainase pranë qytetit të Bakhmutit dhe rajonit të Zaporizhzhias.
Instituti për Studimin e Luftës, me seli në Uashington, vlerësoi të premten se forcat ukrainase po përparonin në Zaporizhzhia pasi çliruan fshatin Robotyne në fillim të kësaj jave.
Rusia ndërkaq njoftoi për dy sulme me dronë brenda territorit të saj. Njëri prej tyre ishte në rajonin e Kurskut, afër kufirit me Ukrainën, por pa shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Një tjetër dron u rrëzua të dielën mbi rajonin Bryansk në perëndim të Rusisë, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në rrjetin social “Telegram”, por nuk dha informacione të mëtejshme për dëme apo viktima të mundshme.
Në Kiev të dielën në mëngjes qindra njerëz dolën në Sheshin e Pavarësisë për të protestuar, pasi anëtarë të familjeve të tyre që punonin si roje kufitare po mbahen ende në robëri nga Rusia prej 500 ditësh.
Një prej atyre që protestuan sot në Kiev është 9 vjeçari, Mykola Butko, babai i të cilit është një nga pengjet që po mbahet nga Rusia.
“Babai im është roje kufitare. Ai është në robëri për më shumë se 500 ditë. Më mungon vërtet. Ne besojmë se ai do të kthehet në shtëpi”, thotë 9 vjeçari, Mykola.
Babai i tij, Petro po mbahet peng nga Rusia pasi luftoi për 86 ditë në mbrojtje të Mariupolit, qytetit industrial ukrainas në rajonin e Donetskut në një nga betejat më të ashpra të luftës në Ukrainë./VOA