Përplasje e kritika, si erdhi deri te marrëveshja për targa në Bruksel?

Marrëveshja Kosovë-Serbi për çështjen e targave e arritur të mërkurën e 23 nëntorit në Bruksel ka ngjallur shumë reagime. Ajo është mirëpritur nga ndërkombëtarët, e veçanërisht nga ShBA-ja e cila ka qenë më këmbëngulëse nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për arritjen e marrëveshjes, përkatësisht për shtyrjen e masave ndëshkuese për serbët e Kosovës me targa ilegale serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i dërguari special nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq





Të mërkurën e 23 nëntorit, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për targa në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur kryediplomati evropian, Josep Borrell përmes një postimi në Twitter.

“Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka thënë Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell

Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Kjo marrëveshje erdhi pas disa orësh negociata në Bruksel në mes të dy kryenegociatorëve të dy vendeve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Borrell ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të ftojë palët në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi (në të djathtë) dhe Petar Petkoviq (në të majtë) dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi (në mes)

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se pala serbe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, sipas tij, do të mund t’i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat. Por, sidoqoftë, në tre vjetët e fundit targa të reja KM nuk janë lëshuar”, ka thënë Petkoviq.

Angazhimi i ShBA-së

Lajçak i ka falënderuar palët për angazhimin e tyre dhe e ka falënderuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e dhënë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat.

Kryeministri, Albin Kurti (në të djathtë), Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier dhe Presidentja, Vjosa Osmani

“Mbështetja e saj për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është kyçe. Kosova është mirënjohëse”, ka thënë ajo në një postim në Twitter.

Çfarë i parapriu kësaj marrëveshjeje?

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi tetë orësh në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me çështjen e targave i cili rezultoi pa marrëveshje.

E për këtë takim që rezultoi pa marrëveshje, Borrell e ka lënë fajtore palën e Kosovës.

Ndërkaq, Kurti ka thënë 23 nëntor se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel dy ditë më parë ka pasur të bëjë me nisjen e diskutimit për marrëveshjen finale, bazuar në planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “është braktisur dhe është kaluar vetëm te çështjet aktuale”.

Takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq

Mirëpo, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.





Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika