Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, në Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës ka treguar se pse nuk është nënshkruar kontrata që kompanisë “Kosmonte Foods” t’i jepet statusi i investitorit strategjik, edhe pse Qeveria ia kishte dhënë këtë leje.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka kritikuar ministren Rozeta Hajdari për vonimin dhe stërzgjatje 2-vjeçare të shqyrtimit të 44 aplikacioneve për statusin e investitorit strategjik. Ndërsa deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka akuzuar kryetarin Shala se ka interesa të ngushta familjare me kompaninë garuese të quajtur “Mexikoluma”.
Për këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se janë shpifje dhe vetëm tentativë për të devijuar raportimin e minsitres Hajdari.
Shala ka kërkuar përgjigje nga Hajdari, se pse po kërkon MINT garanci shtesë për kompaninë “Kosmonte Foods”, kur dihet sipas tij, pushteti aktual ka mbështetur këtë kompani për të fituar statusin e investitorit strategjik në shkurt të këtij viti.
Ministrja Hajdari gjatë raportimit për investimet strategjike në vend, ka thënë se 44 kompani kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik.
Gjithashtu, ajo ka theksuar se nuk është vonesë mosnënshkrimi i kontratave por vetëm proces.
“Kosmonte ka dhënë disa zotime dhe ne para nënshkrimit të kontratës i kemi kërkuar t’i rikonfirmojmë ato zotime”, ka thënë Hajdari.
Më pas, ajo ka treguar se kompania i ka rikonfirmuar ato zotime.
“E kemi problem të veprojmë kur edhe komunën e kemi kundër”, ka thënë Hajdari duke e vënë në pah problemin e decentralizimit të qeverisjes.