Përse aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të shkaktonte tensione”?

Anëtarë të Këshillit të Europës diskutojnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasbourg (Foto/Reuters)

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është shprehje e synimit të saj që të marr pjesë, bashkë me shtete tjera në aktivitetet e këtij institucioni i cili kultivon dhe afirmon të drejtat e njeriut dhe përforcimin e demokracisë. Kosova deri më tani është anëtarësuar në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare e rajonale në saje të mbështetjes së vendeve të fuqishme demokratike. Ndërkaq këto anëtarësime të Kosovës vazhdimisht e kanë kundërshtuar në radhë të parë Serbia dhe Rusia.

Mirëpo, nuk është e qartë tani përse kërkesa e Kosovës për pjesëmarrje në aktivitetet e Këshillit të Evropës, bashkë me shtete të tjera, përfshi edhe me Serbinë, po krijoka “tensione”, siç e tha ambasadori francez Cochard në Beograd? E jo qëndrimi përjashtues i qeverisë serbe, i cili është në kundërshtim me rolin dhe vlerat e Këshillit të Evropës? Ajo qasje e qeverisë serbe është ne fakt jo vetëm e njëanshme por thjesht destruktive.

Mu për këtë arsye ajo qasje nuk mund të bëhet kriter për dialogun Kosovë-Serbi i cili duhet të zgjidhë problemet e akumuluara, të shkaktuara në radhë të parë nga katër lufta t’agresionit në Ballkan (kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës). Pas Luftës së Dytë Botërore, ishte regjimi serb ai që kalli në vitet 1990 luftërat në Evropë me krime ekstreme kryesisht mbi civilët. Evropa kishte arritur të jetoj në paqe gjysmë shekulli. Dhe BE-së iu dha shpërblimi Nobel për Paqe. E tash së voni Rusia sërish ndezi luftën në Evropë, me agresionin mbi Ukrainën, me shkatërrime të qyteteve dhe fshatërave dhe me krime masive mbi civilët.

Së këndejmi mirëkuptimi për qëndrimin përjashtues të Serbisë ndaj synimit të Kosovës që të integrohet në organizata ndërkombëtare nuk mund t’i kontribuojë në asnjë mënyrë dialogut Kosovë-Serbi. Ky dialog, në fakt, duhet të bartë në vete vullnetin për bashkëpunim në rajon sikurse edhe në hapësirën e Këshillit të Evropës.

Kosova është tani e sa vite anëtare e një numri të konsiderueshëm të organizatave rajonale e ndërkombëtare dhe ajo ka dëshmuar përkushtimin për bashkëpunim me vendet tjera anëtare, përfshi edhe me Serbinë.

Më kujtohet kur para disa viteve, Delegacioni  i Francës në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës, i udhëhequr nga kryetari z.René Rouquet mbështeste fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Ai u angazhua edhe me propozimin e një amendamenti të ri në Rregulloren e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do t’i bënte të mundur delegacionit të Kosovës të fitoj, në fillim, statusin e mysafirit special: një derë e vogël e cila do shpinte te dera e madhe e anëtarësimit. Mirëpo, pengesa kryesore ishte Rusia.

Ndërkaq tani kur Rusia është përjashtuar për arsyet që dihen nuk do duhej të tregohej mirëkuptim për synimin e Serbisë që të pengoj pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe orientimin e saj për bashkëpunim me vendet fqinj.

 

Çnjohjet si zhbërje e punës së shteteve të mëdha

Më duket se shtetet e mëdha demokratike që e kanë mbështetur me sukses anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe në procesin e njohjeve nga shtete të tjera, ndoshta nuk do të duhej t’i shikojnë tani në mënyrë pasive aksionet e Serbisë në ç’njohjet  e Kosovës, ngase ato aksione nuk godasin vetëm interesat e Kosovës por edhe autoritetin dhe prestigjin e shteteve të mëdha. Jam dëshmitar i angazhimit të fuqishëm shumëvjeçar të Francës që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe në njohje nga shumë shtete të disa kontinenteve.

Dihet se njohja reciproke midis dy shteteve është pikënisje e bashkëpunimit të frytshëm dhe afirmim i politikës së paqes. Njohja, siç cekë edhe filozofi francez Riceor, synon të ndërtoj lidhje të reciprocitetit në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale midis shteteve. Kurse ç’njohjet shpijnë në drejtim të kundërt.

(Foto e Z. René Rouquet, Kryetar i delegacionit parlamentar të Francës në Këshillin e Evropës. Foto e një miku të madh të Kosovës)

Ky tekst është shkruar nga ish-ambasadori i Kosovës në Francë, akademiku Muhamedin Kullashi, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Të fundit nga rubrika