Alarmi për një mjet shpërthyes brenda objektit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka dalë përsëri i rremë.
Këtë e ka konfirmuar për Portali D, zëdhënësja për rajonin e Prishtinës në Policinë e Kosovës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se pas kontrollit të detajuar të hapësirës nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë ardhë në përfundim se alarmi ka qenë i rremë.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka thënë ajo.
Të martën në mesditë, në adresë të Rekotratit të UP-së ka ardhur një email përmes adresës elektronike për një alarm se brenda objektit është vendosur një bombë apo mjet tjetër shpërthyes.
Një alarm i ngjashëm kishte ardhur në adresën e Rektoratit më datën 17 maj të këtij viti, por i njëjti kishte rezultuar të jetë jo i vërtetë.
Alarm për mjet shpërthyes kishte edhe më datën 18 maj të këtij viti, në shkollën “Xhevdet Doda” të Komunës së Prishtinës, i cili po ashtu doli se ishte alarm i rremë.