Nuk iu ndodhë shpesh që të mos kenë energji elektrike në ambientin përreth.
Por këtë të mërkurë, disa nga lagjet e kryeqytetit kaluan orë të tëra pa energji elektrike.
Kjo pasi pika nga e cila furnizohen, “Prishtina 3” në kuadër të KOSTT, u kaplua nga zjarri.
Në ndërrimin e punës rastisi vetëm një punëtor, i cili zjarrin ishte përpjekur ta ndalonte vet fillimisht.
Por, burimi i tij qe në podrumin e objektit.
“Reagimi ka qenë bukur i shpejtë por problem është se zjarri i cili ka ndodhur këtu është bukur problematik për faktit se gjindet në pjesën e poshtme në podrum dhe është i mbuluar sipër me pllaka”, ka thënë komandanti i brigadës së Zjarrfikësve, Mal Gashi.
Ndonëse nuk është thënë në mënyrë zyrtare, televizioni mëson se zjarri erdhi nga kabllot që gjendeshin aty.
Nga zjarri është dëmtuar edhe trafoja ngjitur me objektin, gjë që pati efektin e saj.
“Është ftuar edhe hetuesi për të bërë raportin pasi ekipet e zjarrfikësve t’a bëjnë punën e vet. Një pjesë e madhe e Kryeqytetit është ende pa rrymë sepse kjo është njëra prej trafo-stacioneve. Për momentin, një pjesë e Kodrës së Trimave dhe lagjes “Arbëria” janë pa rrymë. Ekipet e KEDS-it po punojnë që sa ma shpejtë të gjejnë zgjidhje alternative”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë.
Nga zjarri nuk ka të lënduar ndërsa dëmet material nuk janë të vogla.
Prezent në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe hetuesit, në pritje të neutralizimit të plotë të zjarrit për të ekzaminuar vendin e ngjarjes.