Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës(MMPHI) Liburn Aliu kanë marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të rrugës nacionale N2 Prishtinë- Mitrovicë.
Kryeministri ka thënë se kjo rrugë është një projekt i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe ekonominë e vendit.
Ai tutje ka thënë se kjo rrugë kishte nisur së ndërtuari që në vitin 2009 që siç u shpreh ai ka moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Rruga Prishtinë-Mitrovicë po bëhet, ka nisur në vitin 2009. Që do të thotë e ka pothuajse moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është dashur që të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ec puna. Ky segment është nënshkruar në fund të shkurtit si kontrata dhe për 10 muaj po e përurojmë në një gjatësi afër 5 kilometra e gjysmë. Kanë ngelur edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme e cila është rreth 5 kilometra, e cila do të kushtoj 15 milion euro, janë kryer me përpikëri, me drejtësi edhe shpronësimet edhe rregullimin e trotuareve edhe drenazha edhe gypat e ujësjellësit edhe kanalizimit”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, ministri Liburn Aliu është shprehur se segmenti nga Stanofci deri në hyrje të Vushtrrisë është, 5.5 kilometra dhe do të vazhdoj.
“Bëhet fjalë për segmenti nga Stanofci deri në hyrje të Vushtrrisë, 5.5 kilometra dhe do të vazhdoj. Është nënshkruar marrëveshja me fondin Opek për vazhdimi nga Smekronica deri në Mitrovicë. Duhet gjithashtu cekur që pavarësisht situatave edhe përpjekje tona për të vazhduar me operatorin e vjetër pas një auditimi që është bërë jemi detyruar që të shkëpusim kontratën”, tha ai.