Pesë luanë kanë shkaktuar një emergjencë të shkurtër në një kopsht zoologjik australian pasi u arratisën nga rrethimi i tyre.
Luanët e arratisur kanë qenë një i rritur dhe katër këlyshë, të cilët u panë jashtë ekspozitës së tyre në kopshtin zoologjik Taronga të Sidneit rreth orës 23:30 të martën.
Kopshti zoologjik u mbyll dhe një këlysh duhej të qetësohej, por të gjithë luanët u siguruan brenda pak minutash, kështu ka bërë të ditur një zëdhënës.
Po ashtu, sipas tij, askush nuk është lënduar, por nuk është dhënë shpjegim për arratisjen e tyre.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i kopshtit zoologjik Simon Duffy e quajti atë një “incident të rëndësishëm” që do të hetohej.
Ai ka thënë për mediat lokale se luanët kishin hyrë në një zonë të vogël “ngjitur” me ekspozitën e tyre, rreth 100 metra nga ku mysafirët po qëndronin në kopshtin zoologjik gjatë natës. Kopshti zoologjik kryesor ishte i mbyllur në atë kohë, raporton BBC.
“Luanët në asnjë moment nuk dolën nga ajo zonë [në afërsi] ose nuk dolën nga kopshti zoologjik Taronga”, ka thënë ai.
Duffy ka shtuar se zona e vogël mbrohej nga një gardh prej gjashtë këmbësh që zakonisht përdoret për të mbajtur njerëzit në një distancë të sigurt dhe i gjithë kopshti zoologjik ishte i rrethuar nga një gardh rrethues.
Sipas kopshtit zoologjik, pamjet e kamerave kishin treguar se një portier ngriti alarmin brenda 10 minutave pas arratisjes.
Stafi i është përgjigjur shpejt për të zhvendosur të gjithë njerëzit në vende të sigurta, sipas Duffy. Katër nga luanët “u kthyen me qetësi” drejt rrethimit të tyre.
Ekspozita e luanit do të qëndrojë e mbyllur deri në inspektime të mëtejshme për t’u siguruar që është “100 për qind i sigurt”.
Arratisjet e kafshëve në kopshtet zoologjike Australiane janë të rralla.
Në vitin 2009, një luaneshë iku nga mbyllja e saj në kopshtin zoologjik Mogo, në jug të Sidneit, dhe u qëllua për vdekje për shkak të rrezikut që përbënte për publikun.