Pesë persona humbën jetën nga stuhia që përfshiu Ballkanin

Të paktën pesë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Slloveni pas një stuhie të fuqishme me erëra të forta

FOTO: AFP

Të paktën pesë persona humbën jetën në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Slloveni dhe dhjetëra u plagosën, pasi një stuhi e fuqishme me erëra të forta dhe shi të dendur goditi Ballkanin të mërkurën.

Policia dhe mediat lokale raportuan për viktima dhe dëme të mëdha të shkaktuara nga kushtet e rënda të motit në rajonet e prekura.

Pas disa ditësh shumë të nxehta dhe të thata, Ballkani përjetoi stuhinë e dytë brenda dy ditësh, teksa pjesë të tjera të Evropës po luftojnë me zjarre dhe temperatura të larta.

Në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb, janë raportuar dy viktima si pasojë e stuhisë. Sipas policisë kroate, dy burra humbën jetën, pasi u goditën nga rrëzimi i pemëve. Ngjarja përfshinte një 50-vjeçar që ndodhej jashtë në rrugë dhe një 48-vjeçar që ndodhej brenda makinës së tij gjatë fatkeqësisë, shkruan REL.

Në Cernik të Kroacisë, një person tjetër humbi jetën sa ishte në makinën e tij, gjithashtu nga rrëzimi një i peme.

Mjekja e urgjencës, Ljupka Hitrova, ka bërë të ditur për agjencinë zyrtare të lajmeve Hina se të dy viktimat kanë pësuar lëndime të rënda në kokë.

Diku tjetër në Zagreb, një 36-vjeçar u plagos rëndë, kur një vinç pranë një zone ndërtimi u shemb, thuhet në deklaratën e policisë.

Stuhia errësoi papritur qiellin dhe solli shi, përmbytje të shpejta dhe erëra në të gjithë Zagrebin duke filluar nga ora 16:00.

Transporti i qytetit u ndal, pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrugët u bllokuan për shkak të pemëve të rrëzuara.

Shërbimet e urgjencës së Zagrebit u kërkuan qytetarëve të kenë durim, pasi qindra thirrje për ndihmë erdhën menjëherë.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të thërrasin vetëm nëse janë në një situatë kërcënuese për jetën, deri në stabilizimin e situatës”, tha kryetari i bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomasevic në Twitter.

Një situatë e ngjashme u raportua në Slloveninë fqinje, ku era e fortë rrëzoi pemë dhe dëmtoi çatitë.

Transmetuesi publik RTV Sllovenia raportoi se një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos, kur një pemë ra mbi ta në zonën e liqenit Bled.

Një person humbi jetën në Bosnje dhe të paktën 20 u plagosën, thanë autoritetet atje.

Autoritetet në Serbi lëshuan paralajmërime për qytetarët ndërsa stuhia u zhvendos drejt lindjes.

Erërat e forta u përhapën nëpër kryeqytetin serb të Beogradit, të mërkurën në mbrëmje.

Disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike dhe aeroporti i Beogradit u mbyll përkohësisht. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon një vinç të madh duke rënë.

Diku tjetër në Serbi, banorët raportuan pemë të çara në mes, tulla që binin dhe çati të dëmtuara.

Një vajzë 12-vjeçare u shtrua në spital, pasi një pemë ra mbi të në qytetin verior të Novi Sadit, thanë mjekët.

Shërbimet e urgjencës në të tri vendet raportuan qindra ndërhyrje ndërsa stuhia përfshiu rajonin.

Autoritetet paralajmëruan alpinistët të qëndrojnë larg atyre zonave me pemë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika