Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës raportohen pesë raste të dhunës në familje në Kosovë.
Në Rajonin e Prishtinës janë regjistruar dy raste; një në Podujevë dhe një në Obiliq.
“Podujevë / 26.02.2025 – 02:00. Viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.
“Obiliq / 25.02.2025 – 20:05. Raportohet se viktima femër kosovare është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Në Pejë është raportuar një rast i dhunës në familje ku edhe është arrestuar një person por që i njëjti është liruar pas intervistimit me vendim të prokurorit.
“Pejë / 26.02.2025 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare, të cilën më pas e kishte larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.
Në Gjakovë është regjistruar një rast i dhunës në familje, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar.
“Gjakovë / 26.02.2025 – 09:00. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje viktima f/k është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”.
Edhe në Mitrovicë është regjistruar një rast i dhunës në familje ku është arrestuar një person.
“Mitrovicë Jug / 26.02.2025 – 22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që nën ndikim të alkoolit ka ofenduar dhe më pas me thikë ka dëmtuar gomat e veturës së vëllait të tij ankuesit mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.