Pesë të plagosur pas të shtënave në një shkollë në Suedi

Gjatë të shtënave në një qendër edukimi në Suedi janë plagosur pesë persona me armë zjarri, shifër që me gjasë përfshin edhe sulmuesin, thanë zyrtarët. Një nga të plagosurit ka plagë serioze, ndërkaq një tjetër ka pësuar lëndime të lehta.

Vetëm pak detaje janë publikuar gjatë konferencës për media të policisë dhe zyrtarëve mjekësorë disa orë pas të shtënave në periferi të qytetit Orebro, që gjendet rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit.

Shefi i policisë, Roberto Eid Forest, tha se hetuesit po punojnë për të verifikuar informacionet lidhur me të shtënat.

“Aktualisht, hetimi është i paqartë. Është e paqartë nëse të shtënat ndodhën brenda ndërtesës së shkollës apo nëse mund të ketë edhe sulmues të tjerë”, tha ai gjatë konferencës.

Dhuna me armë në shkolla është e rrallë në Suedi. Por, ka pasur disa incidente viteve të fundit, kur njerëzit janë plagosur ose vrarë me armë të tjera, sikurse thika apo sëpata.

Policia tha se sulmuesi ishte një nga njerëzit e hospitalizuar pas të shtënave të së nmartës. Katër nga pesë personat e tjerë të plagosur u janë nënshtruar operacioneve, përfshirë një person që ka plagë serioze. Dy të tjerë, sipas mjekëve, janë në gjendje stabile, ndërkaq një person tjetër është plagosur lehtë.

Policia tha se asnjë zyrtar policor nuk është plagosur.

Zyrtarët qeveritarë më pas thanë se edhe një person i gjashtë është hospitalizuar me lëndime të lehta, por që nuk ishin lëndime nga armë zjarri.

Shkolla, e quajtur Risbergska, ka student mbi moshën 20-vjeçare, sipas ueb-faqes të këtij institucioni arsimor. Kjo shkollë ofron kurse të shkollës fillore dhe të mesme, kurse për gjuhën suedeze për emigrantët, trajnime profesionale dhe programe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.

Të shtënat ndodhën pasi shumë studentë kishin shkuar për pushime pas provimeve. Vetura policore dhe autoambulanca u panë në vendin e ngjarjes, si dhe helikopterë që patrullonin në qiell.

Profesoresha Lena Warenmark tha për një media suedeze se dëgjoi të paktën 10 të shtëna armësh.

Studentët u strehuan në ndërtesat aty pranë. Pjesë të tjera të shkollës u evakuuan pas të shtënave, që nisën rreth orës 12:30, sipas kohës lokale.

Kryeministri Ulf Kristersson tha se kjo është “një ditë shumë e dhimbshme për gjithë Suedinë”./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika