Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vazhdon të këmbëngulë se implementimi i vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës për reciprocitetin e letërnjoftimeve dhe për kthimin e targave ilegale serbe në ato “RKS”, është “shpallje e luftës”.
Siç raporton N1, Petkoviq ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kurti dëshiron ta çojë popullin serb në luftë. Dikush po e lë Kurtin të sillet në atë mënyrë që të krijojë një krizë serioze që mund të kërcënojë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Petkoviq në një konferencë për media.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, është vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë.
Po ashtu, qeveria vendosi t’u japë një afat 2-mujor, të fundit, të gjithë atyre që kanë targa ilegale serbe në emër të qyteteve të Kosovës, që t’i ndërrojnë ato në RKS.
“Po rrëshqasim drejt një krize serioze sepse Kurti po paralajmëron sulm të madh ndaj serbëve për fund të shtatorit e fillim të tetorit. I bëj thirrje komunitetit që ta marrë për zemër dhe të bëjë presion mbi Prishtinën. Mund ta bëjë këtë dhe ne e kemi parë”, ka theksuar Petkoviq.
Për vendimin e Qeverisë së Kosvës për targat, ka reaguar edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili deklaroi se Kosova ka të drejtë të heqë targat KM, por që këtë ta bëjë gradualisht.
“Sipas marrëveshjeve nga dialogu për lirinë e lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë që gradualisht të heqë targat KM (të lëshuara nga Serbia). Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova”, ka thënë Stano, njofton ENS.
Gjithashtu, ai shtoi se është e rëndësishme që të jepet kohë e majftushme për zbatimin e këtij plani, dhe se duhet të jetë në përputhje më praktikat e mira evropiane.
Ai shtoi se liria e lëvizjes është gurthemel I Bashkimit Evropian.
Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovicë), janë hequr.
Automjetet me këto targa është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës).
“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.
Të njëjtat ishin të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targat RKS.
Atyre u është dashur t’i zëvendësojnë me targa të përkohshme, dhe kësisoj Kosova detyrohej që të lëshonte targa KS të cilat pranoheshin nga Serbia.
Ndryshe, marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes është finalizuar në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016, atëherë kur Kosova kishte pranuar që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.
Ndërkaq, kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.
“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.