Drejtori i së ashtquajturës Zyra për Kosovën në Qeverisë e Serbisë, Petar Petkoviq, teksa ka folur për takimin me ambasadorët e Quint-it, ka njoftuar se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë një ndër temat e diskutimit gjatë takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ai në një konerencë për media, ku të pranishëm ishin edhe katër kryetarët e komunave veriore, ka thënë se do t’i japin mbështetje të plotë presidentit Vuçiq në bisedimet dhe negociatat që pritet të mbahen në Bruksel, të enjten e 18 gushtit.
“E gjithë kjo tregon se sa të vështira janë rrethanat në të cilat po shkojmë në Bruksel. Çështja e formimit të Asociacionit do të jetë në rend dite dhe ne do të insistojmë për të edhe në Bruksel. I vetmi që shkon në drejtim të dhunës është Albin Kurti”, ka thënë Petkoviq, shkruan Kosovo Online.
Petkoviq ka theksuar se nuk e kanë si opsion dorëzimin.
“Duam të shkojmë në drejtim të kompromisit, por këtë duhet ta dëshirojë edhe pala tjetër që po i detyron serbët të heqin dorë nga shteti i tyre. Është e rëndësishme të tregosh mençuri dhe mirëkuptim, ta zgjidhësh këtë situatë në mënyrë paqësore, të gjesh një kompromis”, shtoi Petkoviq.
Ndryshe, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “ta pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.
Këtë deklaratë Rakiq e ka dhënë në konferencën për media të Qeverisë së Serbisë të martën.
Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, raporton REL.
Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.
Rakiq bëri të ditur se në takimin me ambasadorët e QUINT-it, mesazhi kryesor nga ta ishte se i përkrahin vendimet e Qeverisë së Kosovës.
“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuam se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, tha Rakiq.
Rakiq bëri të ditur se nuk janë pajtuar me shtetet anëtare të QUINT-it, sa i përket vendimeve që i ka marrë Kosova në lidhje me Veriun.