Sekretari Gjeneral i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka reaguar pas pezullimit të certifikatës së biznesit të “Klan Kosova”, duke shprehur shqetësimin e tij për situatën e lirisë së medias në Kosovë.
Ai këtë veprim e ka vlerësuar si një shkelje të standardeve evropiane të lirisë së medias dhe një akt arbitrari që e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare.
Gutierrez ka theksuar se ky veprim i Qeverisë së Kosovës sjell pasoja negative për vendin dhe shkel vlerat demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës.
Ai ka kritikuar Qeverinë për kthimin e shpinës ndaj Bashkimit Evropian dhe standardeve të lirisë së medias.
“Sot është një ditë e zezë për Kosovën: duke aktivizuar censurën shtetërore ndaj Klan Kosovës, qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave. Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës”, ka deklaruar ai përmes një reagimi në Facebook.
Po ashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas këtij vendimi, duke thënë se Qeveria nuk ka pasur argumente lidhur me vendimin dhe ka qenë pa specifikuar bazën ligjore dhe pa paralajmërim.
“AGK-ja e konsideron veprimin e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu, në reagimin e tyre thuhet se ky vendim është marrë për të dërguar mesazh te mediat e tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik sesa aktualisht.