Dështimi në votim i raportit për verifikimin e mandateve në legjislaturën e re të Kuvendit, u bë shkas i përplasjeve dhe akuzave të ndërsjella ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë, dhe Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në anën tjetër.
Pasi tha se ishin gati për të votuar edhe krye-parlamentarin, deputetja e zgjedhur Albulena Haxhiu, akuzoi tri paritë që në legjislaturën e kaluar ishin opozitë se qëllimshëm dhe bashkë me Listën Serbe, bllokuan konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, njoftimi që kryeministri në detyrë dhe kreu partisë së parë Albin Kurti i dërgoi ish-kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, referuar letrës së fund marsit kur përfundoi mandati i Qeverisë, është i mjaftueshëm.
“Para se të ndodhë certifikimi i rezultatit, ne, secili nga ne, e kemi njoftuar KQZ-në që e pranojmë mandatin e deputetit. Rrjedhimisht, meqenëse sot ka qenë seanca konstituive, para se kjo seancë të ndodhë, ne i kemi kryer obligimet që i kemi pasë me dorëheqje. Secili nga ne. Ne kemi pasur një komunikim me përfaqësuesin e PDK-së për këtë, tha letra s’më bindi. Çka t’i bëjmë?!”, ka thënë Haxhiu.
Pasi refuzoi që njoftimit të Kurtit t’i referohet si dorëheqje, kryetari i PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi, tha se u pa që LV-ja nuk i ka numrat. Teksa, shtoi se tashmë ka material për trajtim nga Gjykata Kushtetuese.
“Z. Kurti le të japë dorëheqje, është shumë e thjeshtë. Ka me shkrua një letër: jap dorëheqje prej pozitës së kryeministrit. Bashkë me ministrat, edhe ata duhet me dhanë dorëheqje. Dhe pastaj mund të vijë të betohet si deputet. Por, Kushtetuta e Kosovës para së gjithash, dhe Ligji i Qeverisë, që vetë e kanë shkrua, e që nuk është fare ligji i mirë, është si shumë ligje që s’janë të mira e që i kanë shkrua këta thotë që s’mundet kryeministri me u bë deputet”, ka thënë Krasniqi.
“Nuk mund të jesh edhe kryeministër edhe deputet”, tha kreu i LDK-së, deputeti i zgjedhur Lumir Abdixhiku, i cili atë çfarë ndodhi të martën në Kuvend e cilësoi lojë për blerje kohe.
“Seanca duhet të thirret sa më parë. Sipas rregullores duhet të thirret brenda 48 orëve. Ky është proces bllokues i qëllimshëm i partisë në pushtet sepse s’i ka numrat. Fundja, ju e patë fuqinë politike, 52 mbështetës të një qeverie që pretendon se i ka numrat dhe më pas një mal akuzash për secilin tjetër, teksa zihen në mesazhe politike me vetë Listën Serbe. Këtë gjuhet polarizuese e kemi pa, e njohim, nuk ndryshojnë, s’do të ndryshojnë, s’marrin mësim. Janë të tillë”, ka thënë Abdixhiku.
Në një reagim kreu i AAK-së, deputeti i zgjedhur Ramush Haradinaj, shkroi se konstitutimin e Kuvendit e bllokoi vetë Albin Kurti.
“Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, ka thënë Haradinaj.
Për mënyrën e vazhdimit të seancës konstituive kryesuesi i seancës, bazuar në kriterin e moshës, deputeti Avni Dehari, njoftoi se do t’i drejtohet Presidencës.