Gjatë dëshmisë së Zijadin Hoxhës, i akuzuari Pjetër Shala ka kërkuar një pauzë që të konsultohet me avokatin e tij mbrojtës.
“Kam një sqarim të shkurt me avokatin në qoftë së është mundësia një pauzë të shkurtë, një pyetje e bën avokati, një bashkëkonsultim”, tha Shala.
Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, refuzoi kërkesën e Shalës, duke thënë se këtë gjë mund ta bëjë gjatë pushimit të drekës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Po e shënojmë dhe do të kemi pushim në orën 11:00, do të kemi pushimin e drekës dhe do t’ju jepet mundësia që të konsultoheni me avokatin tuaj”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Por, i akuzuari Shala insistoi në kërkesën e tij, duke thënë se ka atë bëjë me lëndën që është propozuar për momentin dhe kërkoi që të sqarohet një vizatim i cili tashmë ishte i paraqitur.
“E nderuara gjyqtare bëhet fjalë vetëm për lëndën se është e propozume tani për momentin që është në vizatim deshta t’ia bëj një pyetje avokatit dhe avokati i bën”, tha i akuzuari Pjetër Shala.
Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues tha se nuk është momenti i duhur që të ndërpritet procesi.
“E kuptoj z.Shala tani nuk është momenti i duhur që të ndërpresim procesin që ju të konsultoheni me avokatin, ne do të vazhdojmë me pyetjet e prokurorit dhe avokatët tuaj do të konsultohen me juve dhe nëse është diçka për t’u qartësuar do të bëhet më vonë”, tha kryetarja e trupit gjykues.
Pas kësaj, prokurori u kthye te çështja ku dëshmitari kishte deklaruar se i janë prezantuar disa fotografi që më herët nuk i kishte parë.
Prokurori prezantoi një video, që, sipas tij, tregohej se këto dy fotografi i ishin prezantuar dëshmitarit gjatë intervistës së tij me ZPS-në më 2020.
Mirëpo, dëshmitari sërish insistoi se nuk i kujtohet që i kishte parë këto fotografi.
Ndërsa, për ndërtesën e bardhë, e cila pretendohet se ka qenë në uzinën e metalit në Kukës, dëshmitari tha se qëndrimi i tij është që nuk e ka parë.
“Qëndrimi im është që nuk e kam pa. Nuk kam pas kohë me u marrë me tjera objekte, me e këqyrë ku janë e tek janë”, tha dëshmitari Hoxha.