Të parin e plagosi në skaj të rrugës, dy të tjerët po tentojnë t’ia marrin revolen por pa sukses.
Dy djemtë dhe babai mbetën të plagosur në qendër të qytetit, ndërsa i dyshuari me armë në dorë po largohet në drejtim të panjohur.
Plagosja pikërisht në këtë vend, në qendër të Pejës, në fund të rrugës “Bekim Berisha”.
Ndërsa i dyshuari ndodhej në arrati tre të plagosurit janë dërguar për në QKUK.
Prej orës 12:00 deri në 6 të mëngjesit 4 lloje të kirurgëve kanë kryer ndërhyrje për ta mbajtur të gjallë njërin nga të plagosurit. Ai vazhdon të jetë në gjendje kritike.
“Ai po qëndron i analgoseduar dhe i intubuar, do të thotë është në ventilimin mekanik. Pacienti është në gjendje shumë të rëndë sepse ka lëndime me armë zjarri në regjionin e këmbës së majt dhe në regjionin e barkut të cilat po ia rrezikojnë jetën”, tha Abdullah Hajdari, specialist i Anesteziologjise me Mjekim Intensiv.
Për vrasjen e rëndë në tentativë Policia dhe Prokuroria kanë vazhduar kërkimet, por para se të kapet i dyshuari kryesor u kap një tjetër.
Në prangat e Policisë sipas Prokurorit të rastit rreth orës 1 në mëngjes ka rënë një i dyshuar për dhënie të ndihmës pas veprës penale.
Dyshohet t’i ketë ndihmuar të dyshuarit për arratisje ose gjetje të lokacionit për strehim.
Ai është ndaluar për 48 orë.
Megjithatë plani i tyre nuk pati sukses. Rreth mesditës erdhën lajme edhe për të dyshuarin kryesor, Policia i kishte rënë në gjurmë.
“I dyshuari është arrestuar në fshatin Ozdrim, komuna e Pejës…jo nuk është arrestuar tek shtëpja e tij”, tha Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Një ndër pistat që po i ndjekë Prokuria janë dyshimet se zënka ka nisur pas shitbleres së veturës.
Kjo nuk është hera e parë që 21 vjeçari ka probleme me ligjin, ai ishte i përfshirë edhe në një sulm me veturë ndaj një zyrtari policor.
“Është një rast i tillë, mirëpo ndaj tij është ngriut aktakuzë për vepër penale rrezikim i trafikut publik me veprime të rrezikshme dhe vepër penale mosdhënia e ndihmës”, tha Qavolli.
Janë intervistuar edhe dëshmitarë të tjerë por të plagosurit ende nuk janë intervistuar për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ndërkohë, Ibrahim Shala, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes e ka konfirmuar se njëri nga të plagosurit është pjesëtar i FSK-së.