Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është plagosur me armë zjarri në fshatin Nashec të Prizrenit.
Sipas Policisë, në drejtim të viktimës është gjuajtur nga një automjet në lëvizje.
“Me datë 17.05.2024 rreth orës 19:45, stacioni policor Prizren ka pranua informatë se në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren rreth orës 18:20 është sjellë një person i plagosur me armë zjarri. Pas marrjes së informatës Policia menjëherë iu ka përgjigj rastit, ka shkuar në spital dhe sipas informatave te para viktima është J.A. viti i lindjes 1987, nga fshati Korishë e Prizrenit. Ndërsa i dyshuari i cili është larguar nga vendi i ngjarjes është po ashtu nga fshati Korishë dhe bëhet fjalë për personin B.U.”, ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Sipas zëdhënësit, viktima është plagosur në këmbën e djathtë dhe është jashtë rrezikut për jetë, sipas mjekëve nga emergjenca e spitalit rajonal në Prizren.
Ndërsa, Policia është në kërkim të të dyshuarit.
“Rasti ka ndodhur në fshatin Nashec të Prizrenit, ku dyshohet se i dyshuari ka gjuajtur nga automjeti duke lëvizur në automjetin e viktimës. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit”, ka thënë ai.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe sektori i hetimeve rajonale në Prizren.