Pasditen e së premtes, në Hajvali të Prishtinës u raportuan të shtëna me armë zjarri që dyshohet se përfunduan me plagosjen e një personi, i cili aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka njoftuar për Dukagjinin se i dyshuari, i identifikuar si L.K., ndodhet në arrati.
“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Hajvali. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore dhe lidhur me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë, janë në kërkim të personit të dyshuar L.K, mashkull”, ka njoftuar Ahmeti.