Shtrirja e mësimit tërëditor në krejt Kosovën, profilizimi i universiteteve, ndërtimi 80 çerdheve, matja e performancës së mësimdhënësve e jo rivlerësimi i tyre, janë vetëm disa nga zotimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë fushatës për zgjedhje të nivelit qendror.
Prishtina, një prej komunave që më së shumti është qeverisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka shërbyer si ‘vend eksperimental’ për të provuar një prej reformave në arsim- mësimin tërëditor. Këtë sistem të aplikuar në pesë shkolla të kryeqytetit, tani kjo parti e qendrës së djathtë e ka shndërruar në zotim elektoral për ta shtrirë në nivel vendi.
Plani i LDK-së është që mësimi të zgjas tetë orë. Ndonëse, ende nuk e ka një projeksion të detajuar për këtë gjë, kjo parti beson që brenda dy mandateve mësimi tërëditor do të mund të jetësohet në të gjitha komunat e Kosovës.
Ky projekt, që për LDK-në është më i madhi i planifikuar në fushën e arsimit është vetëm një prej atyre që u dha si premtim në “Debat Përnime”, më 15.01.2025, nga kandidatët për deputetë të kësaj partie, nëse subjekti i tyre arrin të qeveris pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Ngritja e numrit të çerdheve, matja e performancës së mësimdhënësve, testi kombëtar për mësimdhënësit e rinj, sigurimi i librave shkollorë përmes Ministrisë të Arsimit, profilizimi i universiteteve dhe subvencionimi i atyre që janë më të suksesshme, janë disa nga zotimet që i kanë dhënë në emër të partisë katër kandidatët për deputetë nga LDK-ja.
A do të ketë mësim tërëditor dhe shujta të nxehta për nxënësit e të gjitha komunave?
Jehona Lushaku- Sadriu, kandidate për deputete njëherësh drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, duke shpalosur një pjesë të programit për arsim, u zotua që përpos se do të zgjatet orari i mësimit, do t’iu sigurohet një shujtë e nxehtë nxënësve dhe do të shtohen aktivitetet ekstra-kurrikulare.
“Detyrat e shtëpisë do të përfundohen në klasë nën përkujdesjen e mësueses. Mësueses do t’i hiqen orët e Edukatës Fizike, Arti dhe Muzika. Familjeve do t’u ulet kostoja pasi ata [aktualisht] paguajnë qendra ditore jashtë orës së mësimit”- shpjegoi ajo.
Ajo tha se kanë evidentuar 13 lloje të aktiviteteve që do të përfshihen në mësimin ekstra-kurrikularë që kanë të bëjnë me të nxënit e mësimit përmes lojës, artit, sportit dhe kulturës.
“Duke u bazuar edhe në rezultatet e PISA-s dhe nevojën për të ndërhyrë në ciklin 1-5, se duhet t’i forcojmë fëmijët tanë në kuptim, lexim dhe matematikën aplikative, me orarin që e kanë ky cikël, tani me katër orë mësim, nuk mund të arrihet deri aty”- tha Lushaku-Sadriu, e cila vetë kishte nisur mësimin tërëditor në pesë shkollat e Prishtinës e për të cilin thotë se ka kushtuar më pak se dy milionë euro.
Lushaku- Sadriu thotë që projektin synojnë që fillimisht ta shtrijnë tërësisht në pesë komuna, kurse në “të gjitha shkollat sa më shpejt që është e mundur”. Sipas saj, shtrirja në krejt Kosovën, është e mundur nëse kanë investime kapitale dhe nëse e rezervojnë buxhetin për shujtë.
“Nuk mund ta nisim reformën për krejt shkollat sepse kufizimet edhe buxhetore nuk e lejojnë atë. Nëse e nisim, unë jam e bindur që për tetë vite do të bëhet për krejt Kosovën”- tha ajo, duke shtuar se një projekt i tillë kontribuon në punësimin e grave.
Si Qeveri, Lushaku- Sadriu thotë se do ta ndajnë një grant të veçantë për shujtat të cilat do të bëhen menjëherë, ndërsa për objektet që iu duhen, ajo tha se disa prej tyre mund të rinovohen.
Në shkollat “Model-Qamil Batalli”, “Shkolla e Gjelbër”, “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica” e “Nazim Gafurri”, mësimi tërëditor ka nisur nga shtatori 2024. Mësimi fillon rreth orës 08:20 dhe mbaron rreth orës 15:20, ndërsa vlen për nxënësit e klasave 1 – 5. Nxënësit e klasave 6 – 9 të shkollave në Prishtinë ku ka mësim tërëditor u është dashur të zhvendosen në shkolla tjera të afërta.
Lushaku – Sadriu u zotua se në nivelin fillor do të bëjnë një riorganizim të përgjithshëm të shkollave fillore duke i ndarë ato në cikle; shkollat fillore deri në të pestën në objekte të veçanta; cikli i mesëm i ulët në klasa 6-9 në objekte tjera të veçanta.
Kurse për reformën në digjitalizim, ajo tha se do të nisë që nga struktura e klasës e cila do të ketë një strukturë për banka dhe karrige e dollapë tjerë, por edhe tabela digjitale.
Në këtë formë, ajo tha se digjitalizimi nuk do të jetë vetëm një tabelë digjitale, por edhe një softuer për menaxhimin e të dhënave të shkollave që është mundësi e mirë për ta lidhur prindin, mësimdhënësin dhe menaxherin e shkollës për shkaqe sigurie në mënyrë që të marrin informata për gjendjen, vërejtjet dhe notat e nxënësit.
Test jo, matje të performancës po
Në emër të LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu, doli kundër testimit të mësimdhënësve të tanishëm nëpër shkollat e Kosovës – temë kjo që ka nxitur debate të ashpra që nga inicimi i kësaj ideje nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ajo tha se për mësimdhënësit që janë në sistem parashohin matje të performancës e jo test klasik. Sipas saj, do të ketë simulim dhe motivim të mësimdhënësve për të punuar dhe për të dhënë maksimumin për ngritje të cilësisë.
“Matja e performancës fillon nga prindi, nga nxënësi, nga evaluimet e brendshme, nga cilësia e orës së mësimit, dhe kështu kurorëzohet përshtypja që ka menaxhmenti për mësimdhënësin. Pastaj kalon në nivelin e trajnimit dhe matet se trajnime ka përfunduar mësimdhënësi. Duhet të jetë proces që shkon në bashkërendim me nivelin komuna- shkolla- Ministria e Arsimit”- shpjegoi ajo.
E nëse mësimdhënësi nuk i përmbush kriteret, ajo nuk u shpreh shumë e qartë se kush do ta jap ‘dritën e gjelbër’, vetëm shtoi se edhe pse kontratat dhe punësimet i bën niveli komunal, komponenta dhe matja bëhet nga të gjithë faktorët dhe pastaj nuk është shumë e rëndësishme se kush e shkëput kontratën.
Kandidatja tjetër, Fatlume Jaha, e cila ka qenë edhe këshilltare politike në Ministri, tha se nën qeverisjen e tyre, shteti do ta ketë një sistem të trajnimeve për mësimdhënësit.
“Askush nuk mund t’i di të gjitha gjërat, për ata ekzistojnë trajnimet që mbi bazën e tyre pastaj të plotësohen ato mangësi që janë”- tha ajo.
Përveç saj, Lushaku- Sadriu tha se do ta realizojnë një provim kombëtar për mësimdhënësit e rinj, që teston të gjithë ata që hyjnë në sistem pas diplomimit.
Sipas saj, ky provim kombëtar rangon në nivel vendi suksesin dhe kandidatët me rezultate më të mira, në mënyrë që t’u jepet mundësia komunave që të punësojnë kandidatët më së suksesshëm.
Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës. Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.
Ndërsa për Kontratën Kolektive, ajo nuk u përgjigj direkt nëse do ta vazhdojnë ose jo, por tha se do t’ia bëjnë një studim të kujdesshëm.
”Të drejtat e punëtorëve do të respektohen në plotni. Si qeveri duhet të zotohemi t’i marrim përsipër të gjitha kostot që i kanë pasur. Shumë shpesh komunave iu ka marr buxheti për shkak se nuk e kanë planifikuar në mënyrën e duhur. Për vazhdimin e kontratës duhet të ketë analiza, dhe të gjithë termat do të analizohen”- tha ajo.
Në vitin 2024, Sindikata e Arsimit protestoi para Ministrisë të Arsimit dhe Qeverisë që të nënshkruhet kontrata kolektive, të kenë rritje dinjitoze të pagave, përmirësim të kushteve të punës në institucione arsimore dhe të mos u mohohet kontributi i viteve të ‘90-ta.
Kontrata Kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021 dhe u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.
Subvencionim i teksteve shkollore apo të blihen nga Ministria?
Fatlume Jaha premtoi se nëse qeverisin në katër vjetët e ardhshme, tekstet shkollore do t’i sigurojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të gjithë nxënësit, në mënyrë që “mos të shkaktohet hutia te mësimdhënësit dhe te nxënësit”.
Kurse, kandidati Paris Guri tha se me këtë metodë, e cila në fakt ka ekzistuar para se të vije Qeveria Kurti në pushtet, përveç që çmimet do të jenë më të ulëta, do të lehtësohet edhe jeta e prindërve.
“Kjo ka me lehtësu blerjen e librave sepse kemi parë prindër që presin me orë të tëra për më i siguru librat. Ka qenë një maltretim dhe padrejtësi ndaj prindërve”- tha ai.
Më thellësisht këtë çështje e shpjegoi Jehona Lushaku- Sadriu, e cila tha se do t’i sigurojnë librat vetë, sepse “kostoja ka qenë jashtëzakonisht e madhe me metodën aktuale”.
“Nuk është njëjtë si t’i subvencionosh qindra mijëra prindër vetë, dhe në anën tjetër t’u thoni bleni librat me çmimin e tregut në librari. Por, ti si institucion kur shkon dhe negocion për shumicën e librave, normal që çmimi i librave do të jetë më i ulët”- tha ajo.
Në dy vitet e fundit blerja e librave për nxënësit është bërë përmes subvencionimit, pra librat i kanë blerë prindërit me paratë që i janë transferuar nga Qeveria e Kosovës. Një metodë e tillë gjeti edhe përkrahje, por edhe kundërshti. Ekzekutivi i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Para kësaj metode, vetë institucionet i kanë siguruar librat për nxënësit, por partia në pushtet e kishte ndryshuar me arsyetimin se paraja e shtetit ishte keqpërdorur dhe se bodrumet e shkollave kanë qenë të mbushura me tekste shkollore që janë blerë e nuk janë përdorur.
60 milionë euro për 80 çerdhe
Kandidatja Fatlume Jaha tha se nën qeverisjen e LDK-së do të rritet numri i çerdheve publike, më saktësisht në 80 sosh.
Sipas saj, ndërtimi i çerdheve të reja do të kap buxhet prej 60 milionë eurosh.
“Synojmë të rrisim buxhetin çdo vit për nga 15 milionë euro dhe do të ndërtojmë nga 20 çerdhe (për vit)”- tha ajo.
Jaha tha se aktualisht vetëm 6.9% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeçare janë të përfshirë në sistemin parashkollor, e që sipas saj është përqindja ma e ulët në Europë.
Ajo tha se në shkollimin e hershëm të moshave 3-6 vjeç, synojnë që për dy mandate qeverisëse, pjesëmarrjen e kësaj grupmoshe në sistemin parashkollor ta rrisin deri në 95 për qind.
Jaha u zotua se do t’i bëjnë klasat me 20 nxënës.
Kurse, Jehona Lushaku-Sadriu tha se secila shkollë që mbetet e zbrazët mund të adoptohet në kopsht, pasi që sipas saj nuk ka logjikë që 13 fshatra mos të kenë asnjë kopsht e t’i sjellin fëmijët p.sh në Prishtinë, “e aty të na rrinë shkolla me nga 12/13 nxënës”.
“Ju garantoj që asnjë mësimdhënës nuk do mbetet pa punë. Kjo është vetëm një lloj riorganzimi që sjellë cilësi”- tha ajo, duke u zotuar që secilën komunë do ta bëjnë me çerdhe.
E, për fëmijët e kategorive të veçanta që nuk do të arrijnë të regjistrohen në çerdhet publike, ajo tha se do t’i subvencionojnë në mënyrë që të regjistrohen në ato private.
“Subvencionimi do të bëhet në bazë se sa kushton kopshti. Shuma përcaktohet nga ana e autoritetit komunal. Nuk shkakton inflacion se bëhet në varësi me buxhetin e komunave”- u përgjigj ajo në pyetjen se çka nëse kopshti privat e ngrit çmimin.
Reforma në shkollimin e mesëm dhe atë universitar
Kandidatja Fatbardha Istrefi- Avdiu e cila njëherësh është profesoreshë në shkollën e mjekësisë në Mitrovicë të Jugut, premtoi se do të formojnë qendrat profesionale të cilat do ta lidhin shkollën me biznesin dhe do ta menaxhojnë praktikën.
Sipas saj, qendra do të krijojë mundësi që shkollat profesionale të ofrojnë shërbime dhe të krijojnë mjete vetanake, duke bashkëpunuar edhe me odat, siç është Oda Ekonomike dhe Zejtare dhe shoqatat profesionale të cilat ofrojnë mundësi.
Se si do bëhen shkollat me kompetenca përderisa drejtorët janë politikë, Istrefi-Avdiu tha se drejtorët do të zgjidhen në bazë të performancës së tyre.
“Sa i përket harmonizimit të plan-programeve, veç duhet një rishikim i profileve. Duhet të shtohen lëndët për shkollat me profil të caktuar dhe në bazë të qendrave dhe agjencive, të harmonizohen me praktikën profesionale- siç është mësimi dual”- tha ajo.
Ajo tha se kurrikulat nuk ndërrohen përveç se mund t’ia ndihmojnë shkollave profesionale me digjitalizimin e librave. Kurse, në nivelin e shkollave profesionale, ajo tha se do t’i rishikojnë kurrikulat, t’i përshtatin ato me nevojat e tregut dhe t’i përafrojnë me atë se çfarë është kërkesë e bizneseve dhe tregut të Kosovës.
Kurse, Lushaku- Sadriu tha se në nivelin e arsimit të lartë do të fokusohen në nivelin e cilësisë, në profilizimin e universiteteve, në rangimin e universiteteve dhe subvencionimin e atyre që janë më të sukseshme me qëllim që të rritet konkurrrenca dhe cilësia edhe në universitetet publike.
“Dëshirojmë që t’i ndërlidhim drejtimet e studimeve me nevojave të tregut në mënyrë që të modernizohen universitetet publike, për atë që jemi shumë kritike nuk ka ka ndodhur në katër vitet e fundit”- tha ajo.
Ajo premtoi se do të investojnë maksimalisht në universitetet publike për ta kthyer cilësinë dhe për ta ngritur mundësinë e tyre për t’u bërë më bashkëkohor. Kjo, sipas saj, do të bëhet me investime në digjitalizim dhe në hulumtime shkencore.
“Nuk shkon që universitetet publike mos të kenë të hyra të tjera përveçse të shtetit. Ne dëshirojmë që ato të mbesin autonome dhe si të tilla të gjenerojnë të hyra”- tha ajo.
Diçka për rajonin 05
Kandidati tjetër, Paris Guri, i cili ka qenë pjesë e shoqërisë civile para se të bëhej pjesë e Rinisë së LDK-së, e tashmë edhe kandidat për deputet, tha se partia e tij i ka ndare 80 milionë euro për trajnimin e të rinjve në sektorin e ICT-së (Teknologji e Komunikimit dhe Informacionit).
Për rajonin e Ferizajt, Guri tha se kanë paraparë impiantin për ujëra të ndotura; ndërtimin e kinemasë dhe renovimin e tërësishëm të palestrës sportive.
Ai tha se 80 milionë euro janë të ndara sa i përket Brezovicës, ku sipas tij, do të investohet në teleferik të ri dhe në ndërtimin e një qendre e cila do të jetë atraktive edhe për shtetet fqinje.
“Për Brezovicën, 20 për qind të investimit i takon shtetit të Kosovës, ndërsa pjesën tjetër e marrin kompanitë private”- tha ai.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte president deri në vitin 2006.
Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri koalicion me LDK-në, por marrëveshja u prish pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.