Planet e PDK-së: Digjitalizim e rritje pagash në shëndetësi dhe Memorial të Gjenocidit në Prishtinë

Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) premton digjitalizimin e sistemit shëndetësor, rritjen e pagave të mjekëve për 50 për qind, themelimin e Qendrës për trajtimin e personave të varur nga narkotikët dhe alkooli si dhe barna falas për personat me sëmundje kronike. Nëse vjen në pushtet, kjo parti zotohet se do të themelojë edhe Memorialin e Gjenicidit si dhe do të bëjë investime qindra milionëshe në rajonin e Prishtinës. 

Nëse i fitojnë votat e mjaftueshme për të qeverisur me vendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së, zotohen se do të dyfishojnë buxhetin për shëndetësinë, ta themelojnë Qendrën për trajtimin e personave të varur nga alkooli dhe narkotikët si dhe do ta krijojnë Sistemin Kombëtar të Emergjencave Mjekësore.

Me kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën, PDK-ja e cila për një kohë të gjatë kishte udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë, premton se nëse rikthehet në pushtet do ta transformojë sistemin shëndetësor.

Përveç për shëndetësinë, pjesëmarrësit e kësaj partie në “Debat Përnime”, më 22.01.2025, premtuan se nën “qeverisjen e PDK-së” do të përfundohen magjistralet për Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë dhe do të themelohet Muzeu i Gjenocidit në Prishtinë.

Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Prioritetet e PDK-së në shëndetësi

Kandidatja për deputete, Mimoza Ahmetaj, me profesion stomatologe, e cila më parë ka qenë deputete dhe ambasadore, thotë se PDK-ja si plan kryesor e ka zgjerimin e gamës së të gjitha shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë të shërbimeve për pacientët dhe lehtësimin e barrës financiare që bie mbi pacientët.

Ahmetaj thekson se si PDK synojnë që të përmirësojnë infrastrukturën ekzistuese të institucioneve shëndetësore si dhe t’i avancojnë qendrat klinike dhe spitalet duke i modernizuar me pajisje të teknologjisë së fundit.

“Objektivë e Partisë Demokratike të Kosovës është që të ofrojmë barna falas për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike në mënyre që ta lehtësojmë situatën e tyre materiale dhe ballafaqimin me sëmundjen”- tha ajo.

Kandidatja për deputete Mimoza Ahmetaj nga PDK. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Pa specifikuar se çka do të bëjnë për fëmijët me autizëm, ajo tha se synojnë që ta kenë një program edhe për qytetarët që vuajnë nga problemet në të folur e që kanë nevojë për logopedë.

“Ne synojmë po ashtu që në kuadër të programit të ofrojmë edhe kujdesin paliativ për të gjithë ata të sëmurë që për një kohë të gjatë janë të palëvizshëm. Do të mundohemi që përmes ekspertëve tanë shëndetësorë të profileve të ndryshme të ofrojmë kujdes në mënyrë që gjendja e tyre të lehtësohet”- tha Ahmetaj.

Në program, sipas saj, e kanë edhe krijimin e Qendrës për trajtimin e kategorive që vuajnë nga varshmëria ndaj alkoolit apo përdorimi i narkotikëve.

E pyetur se a do t’i shkarkojnë të emëruarit në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (ShSKUK) gjatë qeverisjes Kurti, ajo tha se nuk do të marrin mandatin që të përjashtojnë dikë nga institucioni, por se, të gjithë zyrtarët pavarësisht pozitës dhe funksionit do të vlerësohen mbi bazën e performancës që kanë.

“Ne do të kemi ndryshime aty ku ka nevojë në mënyrë që të përmirësohet performanca”- është shprehur ajo.

Buxheti për barnat

Buxhetin për shëndetësinë, PDK-ja synon që ta dyfishojë.

Buxheti i plotë për shëndetësi për vitin 2025 është mbi 75.3 milionë, apo rreth 2.8 milionë euro më shumë se sa në vitin paraprak.

“Ne në start, me rishikimin e buxhetit për vitin 2025, menjëherë do ta rrisim buxhetin në mënyrë që sadopak të ndihmojmë qytetarët”- tha Ahmetaj.

Ajo deklaroi se “nën qeverisjen e PDK-së”, barnat do të mbërrijnë lehtë nga depoja deri të pacienti, pasi që e kanë në plan ta digjitalizojnë sistemin shëndetësor si pjesë e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh). E, për sa kohë mendojnë ta bëjnë këtë gjë nëse arrijnë të qeverisin, ajo nuk dha afate me arsyetimin “se më vonë mund të ma përmendni si argument”.

“Në këtë aspekt mendojmë që planifikimin ta bëjmë se sa pacientë i kemi pasur sivjet në trajtim për sëmundje të caktuara- informata të sakta që merren nga institucionet shëndetësore. Ne do mund të planifikojmë për vitin e ardhshëm se sa kemi nevojë. Duke planifikuar do të bëhet edhe përpilimi i Listës esenciale të barnave se për çka kemi nevojë”- tha ajo.

Përveç këtyre, Ahmetaj, tha se e kanë në plan edhe krijimin e Sistemit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore, që nënkupton që “përmes pajisjeve të ndryshme medicinale, por edhe helikopterëve të kemi qasje në rast të krizave apo fatkeqësive të ndryshme”.

Një objektiv tjetër që e kanë në plan, ajo tha se është nxitja e prodhimit vendor e produkteve farmaceutike.

“Produktet farmaceutike kryesore në tregun e Kosovës vinë nga importi, gjë që e rritë enorm çmimin e produkteve të tilla dhe normal që është vështirë të ballafaqohemi me blerjen e produkteve të tilla”- tha ajo.

Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës esenciale, të cilat shteti e ka për obligim që t’i sigurojë. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave, e që quhet Autorizim Marketingu, ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore.

Kandidati tjetër për deputet, Fatbardh Rexha, me profesion kirurg beson që i gjithë transformimi i sistemit shëndetësor do të arrihet përmes funksionalizmit të sistemit të sigurimeve shëndetësore, digjitalizimit të sistemit shëndetësor apo Sistemit Informativ Shëndetësor, si dhe aplikimit të protokolleve mjekësore për profesionistët shëndetësorë.

“PDK synon që përmes buxhetit të saj të rrit edhe gamen e shërbimeve shëndetësore. Po flasim për një qasje, në të cilën planifikohet që në katër vitet e ardhshme nga buxheti i Kosovës të investohen rreth 1.5 miliardë euro në shëndetësi- shto këtu edhe dyfishimin e buxhetit sa i përket furnizimit me barna”- tha ai.

Kandidati i PDK-së, Fatbardh Rexha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

PDK-ja e vlerëson se Kosovës i duhet një ligj i tillë për rregullimin e çmimit të barnave, duke u siguruar që çmimi i barnave të jetë koherent në raport me çmimet e tregut në vend.
“Tregu i barnave duhet të rregullohet konform tregut në Kosovë dhe jo të merren si referencë tregjet tjera dhe pastaj ato të aplikohen në Kosovë”- tha ai në lidhje me Ligjin për Barnat.

Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës esenciale, të cilat shteti e ka për obligim që t’i sigurojë. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave, e që quhet Autorizim Marketingu, ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, ka publikuar Listën e çmimeve të barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës nga data 01.02.2025.

Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet duke u bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh edhe metodologjinë, e cila thotë se bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.

Paragrafi 10 i Nenit 9 të Ligjit thotë se “çmimi me shumicë përbëhet nga vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë e shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%, që llogaritet duke i shtuar çmimit të importit CIP marzhën e qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet e ndërlidhura, por jo më shumë sesa vlera e kalkuluar, sipas paragrafëve 5, 6, 7 apo 8 të këtij Neni”.

Mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore?

Me profesion kirurg ortoped, kandidati për deputet, Pleurat Sejdiu, i cili është drejtor i Odës së Mjekëve të Kosovës, thotë se qëndrimi i parë i PDK-së është zbatimi i pakompromis i ligjeve.

Sejdiu thotë se PDK-ja beson në vetëinspektim, vetërregullim dhe vetëauditim të brendshëm, e jo në inspektime.

“Inspektimi është i brendshëm, gjë që është i paraparë me ligj… Inspektorati Qendror të jetë i pavarur e jo pjesë e një ministrie…”- tha ai, duke e lakuar emrin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili e pati nisur auditimin e brendshëm.

Për shtimin e inspektorëve të shëndetësisë, Mimoza Ahmetaj thotë se një gjë e tillë kërkon kohë. Sipas saj, më lehtë mund të flitet për ndërtimin e një spitali, për një, dy ose tre vite, sesa për Inspektoratin shëndetësor i cili është “proces në vazhdimësi” që kërkon të investohet në kuadro.

Kandidati i PDK-së, Pleurat Sejdiu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Për disiplinimin e stafit shëndetësor të cilët shfrytëzojnë kohën e punës në institucionin publik duke punuar në klinika private, Pleurat Sejdiu, tha se kjo çështje është hiperbolizuar, pasi që asgjë nuk i ndalon menaxherët që ta bëjnë kontrollin e personelit- nëse ka nevojë.

“Orari është orar dhe brenda saj është drejtori apo menaxheri i parë që duhet të di çdo gjë. Është vetëm çështje e vullnetit politik, i atyre që drejtojnë dhe ta rregullojnë këtë çështje”- tha ai, duke shtuar se nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër përpos zbatimit të ligjeve ekzistuese.

Sipas tij, çelësi është te bartja e përgjegjësisë tek menaxherët që do duhej të ishin përgjegjës, e jo të bëhet mikromenaxhim nga niveli i Ministrisë, apo ShSKUK-së.

“Nëse do menaxhmenti ta zë peshkun në rrjetë është shumë kollaj. Vetëm a duan- nëse ka peshk të tillë”- tha ai.

Përkitazi me supremacinë e klinikave private ndaj sistemit publik shëndetësor, Sejdiu thotë se duhet që të fillojë çështja e licencimit dhe akreditimit të institucioneve publike.

Sipas tij, ajo çfarë ka ndodhur deri më tani është mesazhi i dhënë te pacienti nga niveli politik- gjë që nuk duhet. Zgjidhje, sipas tij, është të bëhet akreditimi apo një kornizë e kontrollit.

Ndërsa për zvogëlimin e Listës të pritjes të pacientëve për operime në institucionet publike, Sejdiu tha se ndikojnë tre faktorë: mungesa e stafit të mjaftueshëm të profesionalizuar, mungesa e shërbimeve në nivel rajonal dhe koncentrimi i pacientëve vetëm në Prishtinë.

“Te një pjesë e shërbimeve që duhet të kryhen në spitale rajonale mungojnë furnizimet bazike të atij spitali gjë që e ngarkon nivelin terciar. [Si rrjedhojë] shumica e intervenimeve janë në pritje. Atëherë ndodh që i jepet prioritet një traume dhe shkaktohen këto pritje”- tha ai.

Sipas tij, duhet të bëhen investime në shërbime të ndryshme edhe në spitalet tjera rajonale dhe të bëhet risistematizimi i forcës të punës.

Parandalimi i ikjes së mjekëve nga Kosova

Pleurat Sejdiu thotë se Kosovës nuk i duhet një Qendër e Re me vlerë 500 milionë euro, në vend të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), përderisa çelësi i mbajtjes së mjekëve në Kosovë është investimi në resurse njerëzore. Projekti për Qendrën është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si një ndër premtimet më të mëdha nëse kjo parti vjen në pushtet.

Megjithatë, Sejdiu thotë se Kosova i ka rreth 600 mjekë pa punë, të cilët sipas planit të tyre, do të sistematizohen.

“Këta mjekë do të punësohen qoftë si mjekë në klinikë, në repartet rajonale apo në Qendra të Mjekësisë Familjare”- tha ai.

Sejdiu theksoi se rreth 110 mjekë largohen nga vendi nga 170 sa diplomojnë. E gjitha, sipas tij, shkaku i papunësisë.

“Ata kur shkojnë në Gjermani, shkojnë si mjekë në repart. Përgatiten për fazën e dytë të shkollimin specialistik. Pra është një fazë përgatitore, por njëkohësisht japin shërbime në sistem”- tha ai.

Ndërsa Mimoza Ahmetaj, zgjidhje për ikjen e mjekëve e konsideron rritjen e pagave, ashtu siç ka thënë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, për 50 për qind në vitin e parë.

“Mos të jetë paga arsyeja pse ata ikin nga vendi”- tha ajo.

Ndërsa Fatbardh Rexha, tha se nën qeverisjen e PDK-së, do të investohet në funksionalizimin dhe modernizmin e spitaleve Rajonale dhe rrjedhimisht edhe në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Plani i PDK-së për sigurimet shëndetësore

Përmes Fondit për Sigurime Shëndetësore, kandidati Fatbardh Rexha, synon që të ofrohen shërbime shëndetësore, të mbulohen ato, të rimbursohen shërbimet për kategoritë e caktuara dhe të rimbursohet deficiti me shërbime shëndetësore.

Rexha thotë se sigurimet shëndetësore janë obligative për funksionimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor. Sipas tij, baza legjislative ekziston, por si top prioritet e kanë që të bëjnë funksionalizmin e tyre.

Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat se kur mund ta bëjnë tërësisht këtë punë.

“Nuk mund të themi saktë në mënyrë kohore datën e fillimit, megjithatë do të jetë një punë e jashtëzakonshme që do bëhet gjatë vitit të parë qeverisës, që në mënyrë komplementare, Sistemi Informativ, protokolli dhe sistemi i sigurimeve shëndetësore të fillojnë së zbatuari”- tha ai.

Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u miratua nga Qeveria më 28.08.2024, megjithatë funksionalizimi i tyre është ende larg në horizont.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në fushatën zgjedhore të vitit 2019, kishte premtuar që sigurimet shëndetësore do të funksionalizohen brenda katër viteve. Parakusht për funksionalizimin e tyre është zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh), për të cilin Vitia pati thënë se merr optimalisht 2 vjet kohë.

Votimi i këtij projektligji, ka qenë në agjendën legjislative prej vitit 2021. Aktualisht, në Kosovë është në fuqi Ligji për Sigurimin Shëndetësor, i cili u miratua në vitin 2014, mirëpo nuk u zbatua asnjëherë plotësisht.

Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore është premtim i dhënë e i paplotësuar nga qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë. Premtime që nuk i përmbushën për sigurimet shëndetësore patën dhënë edhe tre ish-ministra të tjerë të shëndetësisë, Imet Rrahmani, Alush Gashi dhe Ferid Agani.

Investimet në rajonin 05

Në planin e PDK-së është finalizimi i magjistraleve për në Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Podujevë.

Kandidatja për deputete, Eliza Hoxha, me profesion arkitekte zotohet se do të bëhet funksionalizimi i transportit rrugor përbrenda Prishtinës, përfshirë edhe Unazën e Jashtme me vlerë 400 milionë euro.

Ajo premtoi investime në hekurudha, me fokus linjën e cila do të përfshijë “Portin e Kosovës”- siç quhet më planin hapësinor të Kosovës zona e regjionit 01, që është lidhja e kryeqytetit me stacionin kryesor të trenit dhe Aeroportin e Prishtinës.

“Në këtë drejtim normalisht parashihet edhe linja e tramvajit e cila do t’i funksionalizojë zonat urbane dhe rurale në lidhje me aeroportin dhe stacionin e trenit, që përfshin Lipjanin, Graçanicën, Prishtinën dhe Fushë Kosovën”- tha ajo.

Kandidatja e PDK-së, Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Hoxha premtoi qendra për të moshuarit në zonat regjionale, investim në Stadiumin Olimpik Kombëtar, restaurimin e objektit të Pallatit të Rinisë, investime në ish-objektin e Boro-Ramizit, dhe investime në salla më të vogla të sportit dhe në qendrat kulturore komunitare.

“Një gjë tjetër që është paraparë është Memoriali i Gjenocidit. Në këtë pjesë nuk ka një pozicion të caktuar se ku do të jetë. Mirëpo në këtë aspekt do të bëjmë një debat fillestar me Komunën e Prishtinës se ku do të ndërtohet ky memorial”- tha ajo.

Përvoja e PDK-së në qeverisje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

E për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika