Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Haxha, emri i të cilit u përfol këtë të hënë si shënjestër e një atentati, ka thënë për Rtv Dukagjinin se, Policia e Kosovës e kishte njoftuar për planifikimin e vrasjes së tij në fund të vitit të kaluar.
Haxha ka thënë se nuk i di arsyet e planifikimit për vrasjen e tij. Ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur mbrojtje të afërt, por vetëm vëzhgime të shtuara të policisë.
Ai është shprehur se nuk ka informacione se kush e ka planifikuar vrasjen e tij.
“Informacionin për planifikimin e vrasjes e kam marrë në fund të viti të kaluar. Më ka informuar policia. Informata ka qenë se Njësia antiterrorizmit kanë informata se po përgatitet një atentat ndaj meje. Arsyen e kësaj nuk e di, unë kam qenë pjesëtar i luftës. -Nuk kam pasur mbrojtje të afërt, por kam pas vëzhgime të shtuara të policisë. Nuk di kush e ka planfikuar vrasjen, por informacioni ka qenë se ka qenë duke u planifikuar vrasja”, ka thënë Haxha.
Mediumi shqiptar A2news ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Ismet Haxha.
Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.