Platforma eKosova vazhdon të jetë jofunksionale, duke bërë të pamundur aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore.
Platforma mund të funksionojë herë pas here, por aplikacioni i mjeteve të MASHTI-t përmban sfida të vazhdueshme që i pengojnë përdoruesit ta përdorin atë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka hapur platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore dhe të materialeve mësimore.
“Aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore mund ta bëni në Platformën E-Kosova deri në fund të muajit shtator. Linku për aplikim: https://ekosova.rks-gov.net/Service/5
Në shërbimin tuaj janë edhe numrat e telefonit pa pagesë për çfarëdo pyetje që mund të keni rreth mënyrës së aplikimit: 0800 30 900 si dhe emaili: [email protected]”, thuhet në njoftim të MASHT-it.
Po ashtu, të enjten, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore do të nisë nga e premtja.
Ministrja ka thënë se mjetet për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore do të dalin në xhirollogaritë e prindërve që nga fillimi i javës së ardhshme.
Sipas saj, mjetet për subvencionim do të transferohen në xhirollogaritë e prindërve nga fillimi i javës së ardhshme.
Për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5, do të ndahen 80 euro për të blerë tekste dhe materiale mësimore.
“Nga nesër mund të aplikoni për subvencionimin e teksteve shkollore. Mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme. Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore”, ka thënë Nagavci.
Një hap tjetër i ri sipas ministres Nagavci është se edhe për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.