Autori i disa librave të cilat dëshmojnë krimet serbe në Kosovë gjatë luftës 1998-1999, Nysret Pllana i cili ishte edhe zëri i Radios Kosova e Lirë, në emisionin Magazinë në Radio Dukagjini ka folur lidhur me padrejtësinë e Tribunalit të Hagës.
Ai ka thënë se nuk është ftuar asnjëherë nga kjo gjykatë që ti ofrojë librat e tij si dëshmi mbi krimet serbe ani pse librin e tij e kanë poseduar qysh nga paslufta.
“Fatkeqësisht asnjëherë nuk jam ftuar, është absurd kjo, sepse Gjykata e Hagës që nga viti 2001-2002 i ka pas të deponuara këto libra”.
Ai ka thënë se Përfaqësuesja Speciale e ish Prokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte kishte marrë librin e tij dhuratë nga Profesor Emin Kabashi, kryeredaktor i librit i cili ishte asokohe dëshmitar në procesin e Sllobodan Millosheviqit.
“Sot e asaj dite, kurrën e kurrës, Tribunali i të ashtuquajturës drejtësi ndërkombëtare, se veç drejtësi nuk ka atje por padrejtësi, kurrë nuk e ka bërë publike” se e posedojnë këtë libër i cili sipas tij “është i dëshmuar për gjenocidin dyshekullor serb mbi shqiptarët”.
Ai ka folur ndër të tjera edhe për mos punën e qeverive të Kosovës përball projekteve serbomadhe kundër popullit shqiptarë.