Të martën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një personi në Ferizaj i është marrë patentë shoferi për gjashtë muaj, sepse ishte duke e vozitur veturën 129 km në orë, në zonën ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 40 km në orë.
Përveç marrjes së patentë shoferit, Policia të njëjtit i ka shqiptuar edhe një gjobë prej 300 eurosh dhe tri pikë negative.
“Në lidhje me këtë policia, ndaj shoferit me inicialet L.C (M/K) i moshës 21 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe gjashtë (6) muaj masë mbrojtëse (heqje e patentë shoferit). Ai në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon te shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes.