Partia e Re Demokratike, që përfaqëson komunitetin boshnjak, ka siguruar një mandat në zgjedhjet e 9 shkurtit për legjislaturën e IX të Kuvendit të Kosovës.
Emilia Rexhepi, nga radhët e këaj partie ka konfirmuar mbështetjen e saj të palëkundur për Albin Kurtin dhe ka vënë vijë të kuqe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në një intervistë për “Debat Plus”, Rexhepi u shpreh e bindur se Kurti do të formojë qeverinë dhe refuzoi çdo mundësi për të mbështetur një kandidat nga opozita.
“Jo”, ishte përgjigja e saj e prerë, duke shtuar se përvoja e saj si zëvendëskryeministre në qeverinë e kaluar ishte një moment historik për komunitetin boshnjak.
“Të jesh zëvendëskryeministër dhe të vish nga komuniteti boshnjak nuk ka enë praktik, aty ka qenë gjithmonë ndonjë serb. Nuk është kjo kategori kushtetuese. Dhe si rezultat i Listës Serbe dhe partive shqiptare, gjithmonë zëvendëskryeministri ishte nga komuniteti serb. Dhe tani unë që vije nga komunitet boshnjak, dhe që kam marrë këtë pozitë nuk do të ishte fer që të ia bëj kryeministrit këtë”, ka thënë Rexhepi në Debat Plus.
Rexhepi theksoi se fuqia elektorale e Vetëvendosjes me mbi 396 mijë vota tregon qartë mbështetjen e madhe të qytetarëve për Kurtin.
“Dhe që rezultati që ka fituar do të jetë i suksesshëm. Ne kemi pasur qeveri që me 20 apo 30 deputetë ka formuar qeveri. Andaj kur ke një rezultuar prej 48 deputetësh, atëherë kë një force për krijimin e qeverisë. Andaj kam besime plotë që zoti Kurti e ka fuqinë dhe mundësinë të krijojë qeverinë së bashku me partitë tjerë të komunitet tjera, apo edhe të partive shqiptarëve që nuk duan të jenë destruktive, dhe që duan të kontribuojnë në bashkëpunim”, ka shtuar Rexhepi.
Ajo ka shtuar se mbështetja për qeverinë e re mund të vijë edhe nga individë të partive të tjera.
“Nuk mund të jenë vetëm parti domosdo. Mund të jenë individë që kalojnë (tek VV-ja). Sepse kemi përvojë nga e kaluara. Ka kolegë të partive të tjera që janë të gatshëm për bashkëpunim”, ka theksuar ajo.
Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosje ka marrë 42.27% të votave dhe do të ketë 48 mandate në Kuvend. PDK ka siguruar 24 mandate, LDK 20 mandate, ndërsa koalicioni AAK-Nisma ka marrë tetë vende. Për herë të parë, Lista Serbe nuk ka siguruar 10 mandate të garantuara, duke humbur një vend në favor të partisë së Nenad Rashiqit.