Në të gdhirë të ditës Mahmoud Shaheenit i erdhi thirrja.
Ishte e enjte, 19 tetor, rreth orës 6:30, dhe Izraeli po e bombardonte Gazën për 12 ditë rresht.
Ai ishte në katin e tretë, apartament me tri dhoma në al-Zahra, një zonë e klasës së mesme në veri të Rripit të Gazës. Deri atëherë, kishte qenë e paprekur nga sulmet ajrore.
Kishte dëgjuar një zhurmë në rritje. Njerëzit po bërtisnin. “Duhet të largohesh”, dikush në rrugë tha, “sepse ata do t’i bombardojnë kullat”.
Ndërsa po largohej nga ndërtesa dhe po kalonte rrugën për të gjetur një vend të sigurt, telefoni i cingëroi.
Ishte thirrje nga një numër privat.
“Po flas nga inteligjenca e Izraelit”, tha një burrë në telefon, sipas Mahmoudit.
Thirrja do të zgjaste më shumë se një orë – dhe do të ishte thirrja më e frikshme e jetës së tij.
“Do t’i bombardojmë tri kulla”
Zëri iu adresua Mahmoudit me emrin e tij të plotë dhe fliste në arabishte të rrjedhshme.
“Më tha se donte të bombardonte tri kulla… dhe më urdhëroi të evakuoj zonën përreth”.
Kulla e Mahmoudit nuk ishte nën kërcënim direkt – por befasisht ai ishte përgjegjës për evakuimin e qindra njerëzve. “Kisha jetët e njerëzve në duart e mia”, tha ai.
Mblodhi mendjen dhe i tha burrit, i cili e identifikoi veten si Abu Khaled, që të mos e ndërpriste telefonatën.
Si një dentist 40-vjeçar, Mahmoud thotë se nuk kishte ide pse ishte zgjedhur për këtë detyrë. Por atë ditë, ai bëri gjithçka që mundi për ta mbajtur komunitetin e tij të sigurt.
Nën drejtimin e zërave të huaj, të cilët dukej se dinin si të arrinin tek ai edhe kur telefoni i mbeti pa bateri, ai u lut që bombardimi të ndalej dhe bërtiti deri kur zëri iu shtjerrë që njerëzit të iknin, raporton BBC.
Ai drejtoi evakuimin masiv të fqinjëve të tij – dhe më pas e shikoi lagjen të eksplodonte para syve të tij.
Përgjatë këtij konflikti, ushtria izraelite ka telefonuar njerëzit në Gazë disa herë për t’i paralajmëruar para një sulmi ajror – rrëfimi i Mahmoudit jep një pasqyrim të një telefonate të tillë në një nivel të paprecedentë detajesh.
BBC-ja e kontaktoi Mahmoudin pasi disa banorë të al-Zahras e identifikuan atë si burri që mori thirrjen paralajmëruese. Detajet që ka dhënë ai ngjasojnë me ato në një grup në Facebook nga ajo ditë si dhe me imazhet satelitore para dhe pas bombardimit.
Atë ditë, qindra njerëz u lanë pa shtëpi pasi ushtria e Izraelit bombardoi të paktën 25 blloqe banimi me mijëra apartamnete, duke shkatërruar një lagje të tërë. Këta njerëz u detyruan të ikin me ato pak gjësende që mundën të marrin, dhe eventualisht u shpërndanë përreth Gazas.
Ushtria e Izraelit thotë se sulmon caqe ushtarake dhe se këto veprime janë sipas “dispozitave të së drejtës ndërkombëtare”.
“Gjuaj një herë për të dëshmuar se kjo është e vërtetë”
Mahmoudi nuk mund ta besonte kur burri filloi të fliste, rikujton ai.
Njerëzit përreth tij e paralajmëruan se thirrja mund të jetë e rreme. Që kur lufta filloi, mesazhe kanë qarkulluar në grupin në Facebook që paralajmëronte për thirrje të rreme dhe ofronte këshilla për identifikimin e urdhrave real të evakuimit nga Izraeli.
Mahmoud i kërkoi burrit që dëgjohej në telefon që të shtinte një herë në ajër për të dëshmuar se kjo ishte e vërtet. Nëse ata që ishin ende në gjumë nuk i dëgjuan thirrjet nga rrugët, atëherë do ta dëgjonin të shtënën, mendoi ai.
Një e shtënë paralajmëruese nga askundi, por ndoshta nga një dron, goditi një prej blloqeve, tha ai.
“I kërkova atij edhe për një tjetër të shtënë paralajmëruese ‘para se të bombardosh’”, shtoi Mahmoud. Edhe një u dëgjua.
Tani që Mahmoudi e dinte se ishte e vërtetë ai u mundua ta ndalonte, duke i kërkuar burrit të kishte durim. “I thash atij: ‘Mos na tradhto dhe mos na bombardo derisa njerëzit janë ende duke u larguar’”.
Burri i tha Mahmoudit se do t’i jepte kohë – ai tha se nuk donte që dikush të vdiste.
Mahmoudi u përgjigj se ai nuk donte që dikush as të lëndohej.
Ai vazhdoi thirrjen ndërsa nxitonte nëpër lagje, duke alarmuar njerëzit të largoheshin. Një fqinj kujton dentistin “vetëm duke bërtitur”, e më pas të tjerët iu bashkuan.
“Nuk doja të merrja vesh se ishte dikush që mund ta kisha shpëtuar dhe nuk e kisha bërë”, tha Mahmoudi.
Qindra njerëz dolën rrugëve atë mëngjes. Banorët e këtij qyteti zakonisht të qetë po bërtisnin dhe po vraponin, disa prej tyre ende në pizhame apo në rroba faljeje.
Zona – në veri të lumit Wadi Gaza, një pikë nga e cila Izraeli i ka urdhëruar civilët të largoheshin dhe të shkonin në jug që në fillim të luftës – ishte e përbërë nga blloqe moderne apartamentesh, si dhe dyqane, kafe, universitete, shkolla dhe parqe. Në këto parqe njerëzit filluan të mblidheshin.
Mahmoudi nuk e kuptonte pse kjo lagje ishte bërë cak.
“E bëra më të mirën time për ta ndaluar atë. E pyeta, ‘Pse dëshiron ta bombardosh?’”
“Ai tha, ‘Janë disa gjëra që ne i shohim dhe ju nuk i shihni’”.
Burri nuk e sqaroi se çfarë nënkuptonte me këtë.
“Është urdhër nga njerëz më të mëdhenj se unë dhe ti, dhe ne kemi një urdhër për të bombarduar”, shtoi burri, sipas Mahmoudit.
Kur zonat përreth ndërtesave u pastruan, burri e njoftoi Mahmoudin se bombardimi do të fillonte.
Mahmoudin e zuri paniku – çfarë nëse ata bombardojnë ndërtesën e gabuar gabimisht? “Prit pak”, burri i tha, tregon ai.
Një avion izraelit qarkulloi sipër kokës së tyre.
Mahmoudi shikoi tri kullat. Më pas, një prej tyre u bombardua.
“Kjo është kulla që e duam, qëndroni larg”, tha burri në telefon ndërsa ndërtesa po rrëzohej, sipas Mahmoudit.
Më pas, dy blloqet e tjera u shkatërruan.
Pamjet e marra në al-Zahra atë mëngjes tregojnë rrënojat në vend të atyre tri blloqeve, ndërsa një video shfaqi banorët që endeshin të tronditur teksa shihnin pamjen pas sulmeve. Një postim në grupin në Facebook dy orë më pas thoshte se tri kulla ishin “fshirë komplet”.
Kur bombardimi ndaloi, Mahmoudi kujton zërin që i thoshte: “Kemi mbaruar… mund të kthehesh”.
Mahmoudi nuk e kuptonte çfarë kishte dëshmuar atë moment. Kishte jetuar në këtë lagje të Gazas për 15 vjet.
“I thash atij se al-Zahra është zonë civile. Askush nuk është i huaj këtu… U përpoqa ta bëja të kuptonte. Nuk është zonë kufitare, nuk kemi pasur përplasje më herët. Ka qenë gjithmonë një zonë jashtë telasheve”, tha ai.
Njerëzit kërkuan strehim ose vende ku mund të shkonin. Autoritetet lokale filluan të pastronin rrugët nga rrënojat dhe të fiknin zjarret në to.
Ata që shtëpitë nuk iu prekën u rikthyen. Disa ndjenë siguri.
“U kthyem në shtëpi duke menduar se ata nuk do të na bombardonin më”, tha njëri.
Thirrje e humbur nga një numër privat
Më vonë atë ditë, Mahmoudi kishte përfunduar lutjen e natës në apartamentin e tij, kur pa një thirrje të humbur nga një numër privat.
Zemra iu dridh. “Menjëherë kuptova se do të kishte evakuim dhe bombardim, por nuk e dija cili ishte caku. Mendova se mund të ishte shtëpia ime, mund të ishte shtëpia ngjitur meje”, thotë ai.
Telefoni i tij cingëroi sërish. Një burrë tjetër ishte në linjë.
Zëri i tha se ata e kishin kuptuar se Mahmoudi ishte një “burrë i mençur” pas ngjarjeve të atij mëngjesi, për çka po e thërrisnin sërish.
Burri e prezantoi veten me emrin Daoud.
Mahmoudi ishte i shqetësuar nga niveli i detajeve që burri kishte për jetën e tij – për mënyrën se si burri i adresohej dhe i referohej emrit të djalit të tij.
Sipas Mahmoudit, ky burrë më pas u përpoq të shpjegonte çfarë po ndodhte në Gazë.
“Ai filloi të më tregonte: ‘A e ke parë se si ata (Hamasi) prenë me thika ata fëmijë?’”
“I thash se sipas besimit tonë islam, kjo është e ndaluar”, kujtoi ai.
Ai i bëri thirrje burrit kundër “ndëshkimit masiv”, por Mahmoudi e dinte se ishte i pashpresë.
Mahmoudi thotë se burri i kishte thënë se më shumë ndërtesa do të shkatërroheshin atë natë, dhe se dentisti do të duhej të urdhëronte fqinjët të largoheshin edhe një herë. Fillimisht iu tha se cak ishin dy blloqe afër tri të tjerave që ishin bombarduar.
“Evakuuam të gjithë njerëzit, madje edhe një bllok të tretë sepse ishte shumë afër me tjetrin”.
Në këtë pikë, al-Zahra ishte në terr. Banorët thonë se nuk kishin rrymë dhe po përdornin telefonat për të bërë dritë ndërsa mbushnin rrugët.
Mahmoudi vazhdoi të përpiqej të blinte kohë duke folur me burrin derisa të gjithë u larguan nga zona.
Tri ndërtesa ishin shkatërruar. Teksa Mahmoudi shikoi shkatërrimin, burri në telefon tha se tri të tjera do të bombardoheshin dhe më pas banorët mund të ktheheshin.
Por, ndodhi një ndryshim i urdhrave.
Ata do të bombardonin një rresht komplet të blloqeve me apartamente në anën lindore të rrugës, Mahmoudi kujtoi se i ishte thënë.
Ato ishin më shumë se 20 blloqe, dhe qindra shtëpi.
“Kishte njerëz që nuk i kishim larguar ende sepse nuk kishte paralajmërim për ato ndërtesa. I thash, ‘Të paktën na jep kohë deri në mëngjes, natën ku do të shkojnë këta njerëz’”.
“Përgjigja ishte, ‘Urdhrat janë marrë, dhe ne do të bombardojmë të gjitha kullat brenda dy orësh’”.
Mahmoudi thirri njerëzit të largoheshin, duke shkuar nga një bllok në tjetrin.
Banorët përshkruajnë skena kaotike të të rriturve që bërtisnin e fëmijëve që qanin.
Pavarësisht panikut, Mahmoudi qëndroi në telefon tërë kohën duke u munduar ta shtyjë bombardimin.
Zëri në anën tjetër të telefonit vazhdoi, pa emocion.
“Ai madje më tha, ‘Merre kohën tënde. Nuk do të bombardoj nëse nuk më jep leje’”.
“I thash ‘Jo, nuk dua që të bombardosh. Nëse do që të evakuoj njerëzit, do ta bëj, por nëse do që të bombardoj, mos më thuaj se do lejen time”.
“’Nuk është Mahmoud Shaheen ai që do ta bombardojë al-Zahran’”.
Një grua e moshuar jetonte në bllokun e fundit. Mahmoudi dhe të tjerët përreth u thanë banorëve të shkonin tek ajo.
Ishin të shqetësuar edhe për një shtëpi përkujdesi për të moshuar. Por, burri në telefon tha se ai “do të shkatërroj ndërtesat e banimit”.
Mahmoudi thotë se ajo çfarë ai dhe fqinjët dëshmuan atë natë “nuk ishte një bombardim i vogël” po “shkatërrim total i ndërtesave”, pasi blloqet u bënë rrafsh me tokë një nga një.
Banorët nuk dinin më nga të largoheshin.
Mahmoudi e pyeti burrin në telefon ku mund t’i dërgonte fqinjët e tij.
“Ai më tha, ‘Çoji në lindje apo në perëndim’. I thash, ‘Për t’i dërguar në lindje do të jetë e vështirë sepse në lindje të al-Zahras është Al Mughraqa – një zonë veçse e pasigurt. Njerëzit ishin të frikësuar të shkonin atje’”.
“Ai më tha, ‘Çoji në perëndim’. Sugjerova Universitetin e Palestinës dhe ai më tha po”.
Mahmoudi drejtoi turmën. Edhe banorë të tjerë konfirmuan se shkuan në universitet.
Mahmoudi e mbyll – por telefoni i një fqinji cingëron
Në një pikë, Mahmoudi tha se zëri në telefon e pyeti sa kishte bateri. Kishte 15%. Ai i tha ta mbyllte telefonatën e ta ruante dhe se do ta thërrisnin sërish.
Pasuan thirrje të tjera.
“Ata më telefonin për të më thënë, ‘Tani do ta bombardojmë një tjetër ndërtesë’, ‘Tani do ta bombardojmë një tjetër’. Ata thanë, ‘Do të vazhdojmë të thërrasim deri sa të përfundojmë’”, thotë Mahmoud.
Dikur, telefoni i një fqinji cingëroi, me zërin që kërkonte Mahmoud Shaheenin.
Mahmoudi kishte mbajtur distancë me gruan dhe pesë fëmijët e tij gjithë ditën – sepse ishte i zënë duke i evakuuar njerëzit dhe sepse frikësohej se kontakti me inteligjencën e Izraelit e bënte atë shënjestër.
Banorët e al-Zahras shikonin Mahmoudin për të reja dhe përgjigje.
“Ata më thoshin, ‘Doktor a të thirrën që të mund të kthehemi? A të treguan ku do të godasin?’”
Videot e shpërndara kishin kapur flakët që ndriçonin qiellin natën. Të tjera në mëngjes tregonin tymin që ngrihej me diellin mbi qytet.
Mahmoudi dhe burri që e quante veten Daoud vazhduan të flisnin derisa rrugët u qetësuan. Më pas, thirrjet ndaluan pa instruksione të mëtejme për njerëzit e al-Zahras.
“Ata nuk na thanë të ktheheshim në shtëpitë tona, apo të largohemi nga zona. Kështu që, njerëzit pritën deri në mbrëmje dhe filluan të lëviznin”, tha ai.
Në orët dhe ditët që pasuan, komuniteti i al-Zahras u shpërbë. Edhe për ata që shtëpitë nuk u ishin rrëzuar, nuk kishte mbetur më asnjë shërbim mbijetese.
Blloku i Mahmoudit nuk ishte shkatërruar plotësisht, por ishte dëmtuar rëndë. Lagjja ku ndërtoi karrierën për 15 vjet tani është zhdukur. Nuk ka asgjë për të më në al-Zahra.
Ai me familjen është larguar në një tjetër rajon të Gazas.
“Gjërat materiale nuk janë asgjë, mund të vdesësh në çdo sekondë tani. Nuk mendojmë për asgjë tjetër. Lutem vetëm të mbijetoj dhe të qëndroj gjallë”, tha Mahmoud.
Izraeli njihet se i ka paralajmëruar njerëzit në Gazë duke i telefonuar, duke u dërguar mesazhe dhe duke u lëshuar fletëpalosje para bombardimeve. Por, në disa raste, civilët thonë se nuk janë paralajmëruar në kohën e duhur.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gazë ka thënë se mbi 10,000 njerëz janë vrarë nga Izraeli që kur filloi lufta – mbi 1/3 e tyre fëmijë. Sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gazë u bënë pasi Hamasi u fut në Izrael më 7 tetor duke vrarë 1,400 njerëz, përfshirë gra e fëmijë, dhe duke marrë qindra pengje.
Falë përpjekjeve të Mahmoudit, besohet se asnjë nga fqinjët e tij nuk vdiq atë ditë. Por, rrëfimi i tij zbulon panikun dhe ankthin e një komuniteti palestinez ndërsa ata shikuan shtëpitë e tyre dhe gjithçka që donin të bëhej copë-copë.