Ora 22:40, shefi i ndërrimit, Muhamed Lika, me kolegët u përshëndet për të fundit herë me porosinë., “Mos harroni, nesër jemi paradite”
Rreth 500 metra nga stacioni i Policisë në Kaçanik, deri në banesë, në këmbë i eci për pak minuta.
Në hyrjen e banesës u fut si zakonisht, saktësisht në orën 22:55.
U nis shkallëve, e kaloi katin e parë.
Edhe pushimoren e dytë e kaloi gjallë, në shkallën e parafundit në katin e dytë, i vërejti dy persona të armatosur me kapela në kokë.
4 plumba u shkrepën, u dëgjua një thirrje “hejj”, sipas banorëve ishte zëri i Muhamedit.
Polici Muhamed Lika, saktësisht në orën 22:58 ishte në shkallën e parafundit të katit të dytë në banesën në qendër të Kaçanikut. Persona të panjohur nga pushimorja nisën të shkrepin armët/n në drejtim të tij. Skena e krimit ishte e mbushur me vrima e gjurmë të vrasjes.
Jelekun anti-plumb për fatin e tij të keq, Lika nuk e kishte të vendosur në trup.
Të gjakosur e të shtrirë në tokë e pa edhe bashkëshortja që zbriti shkallëve nga banesa ku jetonin.
Nga një plumb që ia shpoi trupin, rreshteri Muhamed Lika vdiq.
Dëshmitarë që e panë të plagosur thanë se arma e policit ishte pak shkallë më poshtë.
Që nënkupton se ose i ka rënë nga brezi pas plagosjes, ose ka tentuar të mbrohet.
Dy të maskuarit u zhdukën, 4 gëzhoja të kalibrit 9.19 mm, u gjetën në vendin e krimit.
Madje predhën e fundit në dysheme e vërejti ekipi i TV Dukagjini, dhe pas raportimit në Polici edhe ajo u fut në listën e provave.
Policia nuk ka arritur t’i identifikojë asnjërin nga dy të dyshuarit për vrasjen.
As motivet nuk janë zbardhur.
Kryeprokurori Burim Çerkini, tha se besojnë që vrasje ka qenë e planifikuar, por përjashtoi raportimets se ishte një grabitje që përfundoi me vrasje.
Dhe jo vetëm kaq.
“E di që ka në rrjedhur informata dhe dyshime për arrestimin e personave të ndryshëm, për dyshimin se cilët persona kanë munduar ta kryejnë këtë vepër penale. Mund t’iu them me siguri të plotë se deri më tani ne nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale. Ne nuk dimë arsyen apo edhe motivin që ka çuar deri në këtë rast makabër…Nga ajo që shihet është se kanë ikur nga vendi i ngjarjes në këmbë, nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar më vonë ndonjë veturë apo mjet tjetër për ikjen nga vendi i ngjarjes. Rreshteri Muhamet Lika njihej si persona goxha profesional dhe nuk kemi ndonjë indikacion qoftë më të voglin që ai gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasur ndonjë problem qoftë me procedurat që i ka zhvilluar si zyrtar policor në hetimit e çështjeve penale apo që të ketë ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, ka thënë kryeprokurori Burim Çerkini.
Në konferencën ku ishte edhe prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, Kryeprokurori u pyet edhe për djegien e lokalit të të ndjerit në Kaçanik në 2021-n dhe lidhshmëritë me vrasjen e tij.
Çerkini tha se as kjo ngjarje nuk mund të përjashtohet si pjesë e pistës së hetimit.
Sikurse për vrasjen as për djegien e lokalit Prokuroria e as Policia nuk kishin arritur t’i gjejnë autorët.
Prokuroria e Ferizajt ishte e paqartë kur e përjashtoi grabitjen si motiv, profesionin ose problemet personale, por vazhdimisht u treguan të rezervuar dhe kërkuan mirëkuptim për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
As familja Lika nuk di se ku të kërkojë llogari për vrasjen e Muhamedit.
“Nuk dijmë për çka, pse ka ardhur deri tek kjo. Nuk kemi kurrfarë dyshimi, nuk mundemi me thënë për asnjë njeri sepse gjithmonë fjalë të mira ka pasur”, ka tënë Muzafer Lika, djali i axhës së Muhamedit.
Ish-ushtari i UÇK-së, Muhamed Lika, me prejardhje nga fshati Strazhë i Kaçanikut, që nga paslufta ka shërbyer për Policinë së Kosovës, dhe bashkë me gruan jetonin në këtë banesë ne qendër të Kaçanikut.