Një polic ka plagosur nga pakujdesia nënën e tij ditën e premte në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur në raportin 24-orësh se viktima është nëna e policit dhe se plagosja ka ndodhur nga pakujdesia.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, zyrtar policor, nga pakujdesia ka plagosur me armë viktimën femër kosovare-nënën e tij. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë, ndërsa i dyshuari ndodhet në stacionin policor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.
Polici që dyshohet se plagosi nënën e tij në Prishtinë, diplomoi në gusht të këtij viti
Inspektorati Policor (IPK) dje ka njoftuar për suspendimin e policit.
“Policia ka pranuar informacione sot pas orës 12:00 për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Mukadeze Lika’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative policore. Pasi që në rast dyshohet se është përfshirë një zyrtar policor janë njoftuar menjëherë edhe hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në veprimet fillestare hetimore në këtë rast është lënduar një person nga shkrepja e armës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.