Policia e Kosovës, të enjten, ka kryer një bastisje në objektin e Komunës së Graçanicës.
Sipas raportimeve, zyrtarët policorë kanë arrestuar dy persona të dyshuar në këtë komunë.
Arrestimin e dy personave e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ka realizuar një operacion policor në komunën e Graçanicës. Ky operacion policor, deri më tani ka rezultuar me shoqërimin e dy personave të dyshuar për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit policor, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”, ka thënë për ai Dukagjinin.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Ljiljana Shubariq, para gazetarëve ka theksuar se janë arrestuar dy zyrtarë të kadastrit të komunës së Graçanicës.
“Komuna e Graçanicës dëshiron të informojë opinionin se sot pas ardhjes së Policisë së Kosovës në departamentin tonë, përkatësisht në Drejtorinë Komunale të Kadastrës, kanë ndaluar dy zyrtarë. E mira është se me këtë hetim dhe arrestim nuk u vu në dyshim puna e menaxhmentit komunal apo e menaxhmentit të Drejtorisë së Kadastrës. Është punë e vetinicuar e zyrtarëve të caktuar, kështu që ata tani janë të ndaluar. Do të ketë një hetim dhe nuk do të spekulonim më tej për procedurën e mëtejshme. Kur të marrim informacione të detajuara do të informoheni”, ka thënë ajo.
E pyetur se pse janë arrestuar zyrtarët, ajo ka deklaruar se bëhet fjalë për korrupsion, sipas mediumit në gjuhën serbe “KoSSev”.
Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se ka mbyllur një objekti në Mitrovicën e Veriut, në të cilin vepronte një institucion ilegal e paralel serb.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka thënë se kanë asistuar zyrtarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut në “çlirimin” e disa zyrave.