Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të lëvizjes së madhe të qytetarëve në pikat kufitare me Serbinë, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata është angazhuar një personel shtesë.
Policia thotë se janë ndërmarrë hapat konkret që të përballohet fluksi i qytetarëve në pikat kaluese kufitare.
“Të gjitha angazhimet policore në terren, përfshirë ato kufitare do të zbatohen sipas procedurave të parapara ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mundësimit të qarkullimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Në pikat kufitare janë krijuar kolona pasi që qytetarët me të drejtë vote janë nisur për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi.
“Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbin, ku për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Kosovës.