Ky që ka rënë në pranga të Policisë së Kosovës është vetëm një nga 16 persona të tjerë që paraditen e së mërkurës patën punë me hetues të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Pos këtij lokacioni, bastisje pati edhe në 20 të tjera, në 5 komuna që poashtu kishin lidhshmëri me këtë aksion të madh.
Nga 16 të arrestuar të dy komuniteteve shqiptarë e serbë, 13 prej tyre kanë shkuar në ndalim për 48 orë pasi që dyshohet që kishin kryer veprën penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
Pos Mitrovicës së Jugut ku gjendet ky klub nate, Policia ka zbarkuar për bastisje edhe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Vushtrri e Skenderaj.
Gjatë bastisjeve zyrtarët policor nuk janë kthyer duar thatë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftuan edhe për sekuestrimet e realizuara.
“Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR” – POLICIA E KOSOVËS DHE PROKURORIA THEMELORE – MITROVICË
Në mesin e të arrestuarve ka dal të jetë edhe një zyrtar policor i Kosovës.
TV Dukagjini nga burimet e saj brenda Policisë së Kosovës ka kuptuar se ai është nga komuniteti serb dhe se këtë vit ka diplomuar si polic.
Ai dyshohet që kishte bashkëpunuar me kontrabandues të armëve nga komuna e Zveçanit dhe Leposaviqit.
Detaje për këtë rast nuk dha shumë zv.Drejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani veçse tashmë ai është suspenduar nga detyra e tij.
“Për mua është me rëndësi që ai është i dyshuar në rastin e krimit të organizuar i cili është duke u hetu dhe për këtë arsye ai është suspenduar sepse është arrestuar mirëpo për veprimet dhe elementet e hetimeve unë nuk i kam të njohura”, ka thënë Elshani.
Krejt ky aksion është realizuar më urdhëresë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe pos bastisjeve të lokaleve ka përfshirë edhe bastisje të shtëpive private.