Edhe tre persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e mbrëmshme që ka ndodhur në Vushtrri.
Policia ka bërë me dije në një komunikatë se numri i të arrestuarve ka arritur në pesë, duke pasur parasysh se edhe dy të tjerë ishin kapur në vendin e ngjarjes.
“Më 29.10.2023 rreth orës 15:45, është raportuar se në rrugën ‘Mehmet Konjuhi’ në Vushtrri, është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore kanë shkuar në vend të ngjarjes, ku është gjetur pa shenja jete viktima, një person i vrarë dhe dy persona të plagosur, të cilët janë dërguar fillimisht në spitalin e Vushtrrisë dhe më pas për trajtim të mëtutjeshme janë dërguar në QKUK.
Policia ka arritur t’i identifikojë dhe t’i arrestojë dy të dyshuar J.S, 24-vjeçar dhe E.B., 24-vjeçar, në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë AK 47 dhe po ashtu edhe një veturë e cila është përdorur në rast.
Gjatë hetimeve të rastit janë identifikuar edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Me urdhër të prokurorit, personave në fjalë u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, ndërsa trupi i pajetë i viktimës mashkull F. Z.,27-vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Ndërsa, raportohet se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP në Mitrovicë të Jugut, në bashkëpunim me prokurorin.
Ndryshe, në orët e mbrëmjes afër tregut në Vushtrri, një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Burimet e Dukagjinit kanë mësuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një problemi që personat kishin më parë.