Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore për të ofruar rend e siguri, në pjesën veriore të vendit, konkretisht në pjesën malore të një fshati të Leposaviqit, kanë hasur një person të dyshuar me një pushkë gjuetie me municion.
Sipas policisë, nën dyshimin e bazuar se personi i dyshuar R.M., (viti i lindjes 1976, mashkull kosovar) posedon edhe armë tjera, është kontrolluar shtëpia e tij.
“Gjatë kontrollit janë gjetur edhe: një armë gjysmë-automatike, një pushkë 8.75mm, një pushkë ajrore, fishekë kalibrash të ndryshëm, disa thika e një xhaketë me pajisje tjera ushtarake”, thuhet në njoftim.
Tutje gjithashtu policia ka njoftuar se për rastin është njoftuar prokurori, me akt-vendim të të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.