Policia e Kosovës ka lokalizuar një depo në qytetin e Ferizajt në të cilën ka gjetur mallra të markave të njohura të këpucëve.
Sipas policisë mallrat në fjalë ishin të kontrabanduara dhe i takonin markave të mbrojtura siç janë “Nike, Adidas, Puma”, e të tjera.
Në njoftimin e policisë thuhet se informatën e kanë marrë nga njësia e inteligjencës dhe analizës së riskut.
“Sot me 06 maj 2022, njësia e task-forcës kufitare ka pranuar një informatë nga njësia e inteligjencës dhe analizës së riskut DRK Lindje, se në një depo, garazhë dhe në një shtëpi private në Ferizaj, dyshohet se gjenden mallra të kontrabanduara. Njësia e Task Forcës policore ka bërë lokalizimin e shtëpisë, garazhës dhe depos ku dyshohej për mallra të kontrabanduara, përfshirë mallra me marka të mbrojtura siç janë “Nike, Adidas, Puma” dhe të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka ftuar në vendngjarje edhe njësitet relevante nga Dogana e Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për të vazhduar me procedurat e mëtejme, lidhur me sasinë dhe konfiskimin e mallrave të dyshuar të kontrabanduara.