Policia çeke po punon për të zbardhur motivin e të shtënave me armë zjarri në Pragë, ku një student ka shtënë me armë zjarri në një universitet në qendër të qytetit, duke vrarë 14 dhe plagosur 25 të tjerë.
Presidenti çek, Petr Pavel, ka bërë thirrje për unitet dhe ka thënë se vrasjet nuk duhet të përdoren për të nisur sulme politike ose për të përhapur dezinformata.
Në mesin e viktimave, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, është edhe babai i të armatosurit.
E shtuna është shpallur ditë zie kombëtare.
Presidenti çek, Pavel, ka shprehur “trishtimin e tij të madh” dhe “zemërimin e pafuqishëm për humbjen krejtësisht të panevojshme” të jetës.
Të shtënat kanë filluar rreth orës 15:00 me orën lokale të enjten, në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në qendër të kryeqytetit çek.
Personi i armatosur ka shtënë me armë zjarri në korridoret dhe klasat e ndërtesës, duke vrarë në mënyrë të rastësishme, ndërsa stafi dhe studentët përdorën mobilje për të barrikaduar veten në dhoma.
Policia thotë se i armatosuri ishte një student 24-vjeçar në universitet dhe nuk kishte precedent të mëparshëm penal, megjithëse shton se u gjet një “arsenal i madh armësh dhe municionesh”.
Para të shtënave, policia kishte marrë një raport se i dyshuari besohej se po shkonte në Pragë nga një qytet aty pranë, me qëllimin për të vrarë veten, derisa ajo ka evakuuar një ndërtesë tjetër universiteti, ku personi i armatosur pritej të ndiqte një leksion, por pak kohë më vonë u thirr në ndërtesën kryesore të fakultetit aty pranë.
Personi i armatosur, për të cilin policia ka deklaruar se ishte “eliminuar”, mendohet të ketë vrarë babanë e tij në një vend të veçantë.
Tutje, policia ka thënë se kishte informacione të pakonfirmuara nga një llogari e mediave sociale se sulmi ishte frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme.
Ata thanë se personi i armatosur dyshohej, gjithashtu, për vrasjen e një të riu dhe vajzës së tij dymuajshe, të cilët u gjetën të vdekur në një pyll në periferi të Pragës më 15 dhjetor.
Nga 25 personat e plagosur në të shtënat, 10 u plagosën rëndë, ka thënë policia, duke shtuar se asnjë oficer nuk ishte lënduar.
Në një deklaratë, presidenti çek është shprehur se “Ne jemi të gjithë të tronditur nga ky akt i tmerrshëm.
“Është e vështirë të gjesh fjalë për të shprehur dënimin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, dhimbjen dhe pikëllimin që po ndjen e gjithë shoqëria jonë në këto ditë para Krishtlindjeve”, ka vijuar ai.
Ai ka theksuar se e shtuna do të jetë ditë zie, duke shtuar se flamujt do të valëviten në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike, dhe se në mesditë do të mbahet një minutë heshtje.
Të enjten në mbrëmje, njerëzit kanë ndezur qirinj dhe kanë lënë lule pranë skenës së të shtënave.
Sulmi pati një nga shifrat më të mëdha të vdekjeve nga të shtënat masive nga një person i vetëm i armatosur në Evropë këtë shekull. /BBC