Policia e Kosovës ka dalë me sqarim në lidhje me shpërndarjen e disa e-mailave, informacioneve e dokumenteve false, “që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës”.
Shpërndarja e këtyre dokumenteve, sipas policisë, është bërë me qëllim “të palës së caktuar për urdhër gjykate”, dhe se sipas tyre, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës.
“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në sqarimin e PK-së.
“Në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, kanë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe llogot e ndryshme, por se ripotencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”, vijon reagimi.
Në njoftim thuhet se Policia ka filluar hetimet në lidhje me këtë rast.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet në reagim.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët të mos bien pre e dezinformatave të ngjashme.